Jahjaga: Mos i bllokoni rrugët
Paralajmërimi i Lëvizjes Vetëvendosje për organizimin e protestave paqësore, për bllokimin e mallrave që hyjnë në Kosovë nga Serbia, dhe për bllokimin e pikave kufitare në Merdarë dhe te Dheu i Bardhë, ka nxitur shqetësimet për mbarëvajtjen e këtyre protestave dhe për efektin e këtyre veprimeve.

Këtë shqetësim e ka shprehur edhe Presidentja e shtetit, Atifete Jahjaga. Ajo thotë se e drejta e qytetarëve për të protestuar, dhe në këtë mënyrë për të shprehur shqetësimet e tyre për një çështje, është e drejtë legjitime dhe është e rregulluar edhe me Ligjet e Republikës së Kosovës,raporton zeri.

“Organizimi i protestave paqësore nga një subjekt politik parlamentar, në këtë rast nga Lëvizja Vetëvendosje, ngërthen më vete përgjegjshmërinë për formën, qëllimin, zhvillimin dhe mbarëvajtjen e protestës”, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga zyra për informim e Presidencës.

“Si Presidente e Republikës së Kosovës angazhohem për mbrojtjen e kushtetutshmërisë dhe të ligjshmërisë, për adresimin e të gjitha çështjeve brenda institucioneve dhe në zbatim të plotë të ligjit. Përcaktimin e Vetëvendosjes për të dalë në rrugë nuk e shoh si shterje të mundësive të veprimit brenda institucioneve të vendit”, citohet të ketë thënë presidentja Jahjaga.

“Ashtu si edhe në çdo rast tjetër, shpreh qëndrimin tim të fuqishëm si Presidente e vendit, kundër veprimeve që pengojnë qarkullimin e lirë të njerëzve dhe të mallrave. Vendi ynë ka nevojë për hapje të kufijve, për marrëdhënie të mira ndër-fqinjësore dhe bilaterale me të gjitha shtetet dhe për anëtarësim të plotë në të gjitha strukturat, organizatat dhe mekanizmat ndërkombëtarë. Në këtë rrugë tonën, si vullnet i yni i përbashkët, është parakusht respektimi i standardeve dhe i proceseve demokratike, lirive dhe të drejtave individuale dhe kolektive dhe respektimi i të gjitha marrëveshjeve ndërshtetërore, si dhe konventave ndërkombëtare”, është shprehur Jahjaga.

“Thërras të gjithë qytetarët të mos bllokojnë rrugët, të mos bllokojnë vendkalimet kufitare të Republikës së Kosovës me shtetet e tjera dhe të mos pengojnë qarkullimin e lirë të njerëzve dhe të mallrave. Thirrja për reciprocitet nuk mund të shërbejë për veprime kufizuese dhe penguese, sepse synimi ynë si shtet dhe si shoqëri demokratike me vizionin e integrimeve euroatlantike është hapja, bashkëpunimi dhe zhvillimi i marrëdhënieve të mira me të gjithë, si shtet sovran dhe i pavarur, faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon dhe më gjerë”, ka theksuar Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga.

Ndryshe, Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar se të shtunën, më 14 shkurt, do t’i bllokojë kufijtë e Kosovës me Serbinë, në Merdarë dhe te Dheu i Bardhë. Këtë aksion nuk e ka përkrahur Kryeministri i vendit, Hashim Thaçi, dhe partia e tij, e as subjektet tjera politike opozitare.
Shtuar më 13/01/2012, ora 11:51
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori