Ja shtëpia që po ndërton Rama në periferi të Tiranës (FOTO-LAJM)

Pëlqej
Përshpejtohen ritmet e ndërtimit të shtëpisë së kryeministrit Edi Rama në fshatin Surrel të Tiranës. Një numër i madh punëtorësh, nën drejtimin e inxhinierëve, ndonjëherë edhe të arkitektit belg të një studioje me renome europiane, lëvizin kudo për të kapur afatet e përfundimit.

Punimet, sipas lapsi.al janë ndjekur disa herë edhe nga vetë kreu i qeverisë. Muret masive të betoni ngjajnë më shumë me një vepër arti moderne se sa me një vilë- rezidencë banimi. Betoni është special, me disa shtresa të veçanta që sigurojnë izolim perfekt dhe temperaturë konstante brenda hapësirës së banimit. Ndërtesa është konceptuar me tre seksione që lidhen me njëra tjetrën nëpërmjet një mesoreje- tunel. Pjesa e mesit, ajo më e ulta, është hapësira e çiftit Rama, dhoma e gjumit dhe ndarjet e tjera funksionale për bashkëshortët.

Pjesa e parë e rezidencës, pak më e lartë se ajo e mesit, do të jetë hapësira e ndënjes familjare, por edhe me ambiente të tjera për të pritur miq e të ftuar. Pjesa më e lartë, përbën një lloj atelie, që ende nuk dihet se çfarë funksioni konkret do të ketë. Në krah të saj ka edhe një hapësirë tjetër që ndoshta do të jetë në funksion të punonjësve që do të kujdesen për kryeministrin dhe familjen e tij. /albeu.com/
Shtuar më 05/09/2014, ora 15:13
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori