A kërkoi Majko votat e Bashës për tu bërë President?
Një bujë mjaft të madhe mediatike dhe jo vetëm bëri takimi 30 minutësh kokë më kokë mes Pandeli Majkos dhe Lulzim Bashës.

Pandeli Majko e konsideron veten si kandidat potencial i të majtës për President të Republikës vitin e ardhshëm. Ai ka preferuar që ftesën për të marrë pjesë në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, të mos ia dërgojë kryetarit të opozitës me postë zyrtare, por duke ia dhënë vetë ballë për ballë në një ambient publik siç është hotel “Rogner”.

Teksa ngjarjet mbi përgjimet, apo "Escobarin e Ballkanit" janë kryefjalë e ditës, Majko zhvillon një takim publik me kreun e opozitës, duke treguar se është një bashkëbisedues pa komplekse dhe me kundërshtarin politik të partisë së tij.

Si një politikan me tone pajtuese, Majko është në pritje të një propozimi nga kryeministri Rama për postin e Presidentit, duke e konsideruar edhe LSI-në e Ilir Metës mbështetëse të tij, me të cilin kanë nisur rrugëtimin politik në forumin rinor eurosocialist, shkruan "Panorama".

Por edhe kreu i opozitës, Lulzim Basha, nuk e ka refuzuar takimin në publik me Majkon, duke treguar edhe ai nga ana e tij se është një bashkëbisedues konstruktiv me eksponentë të Partisë Socialiste të papërfolur për afera pushteti, edhe për faktin se Majko ka preferuar të mbetet deputet dhe jo pjesë e kabinetit qeveritar.

Mësohet se ka qenë kërkesa e Pandeli Majkos, dy herë kryeministër gjatë qeverisjes së parë të socialistëve, aktualisht kryetar i delegacionit të Kuvendit me NATO-n e që do të jetë mikëpritësi i Asamblesë Parlamentare, i cili ka kërkuar që të takojë kreun e opozitës, për t’i dhënë ftesën e pjesëmarrjes së tij në këtë aktivitet që do të zhvillohet në fund të muajit maj në Tiranë. /albeu.com/
Shtuar më 18/05/2016, ora 10:03

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori