Ja çka thotë marrëveshja për menaxhimin e kufirit Kosovë-Serbi
Një dokument me 43 pika i ndarë në 7 kapituj, përcakton atë që tashmë njihet si Menaxhimi i Integruar i Kufirit (IBM) ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndonëse të dy vendet edhe në marrëveshje këtë kufi e njohin me status të ndryshëm.

Drafti zyrtar i siguruar nga agjencia e lajmeve "KosovaOnline" që mban datën 23 shkurt 2012 ndërsa emërtohet si “Protokolli Teknik për zbatimin e Konkluzave të Dakorduara të Dialogut IBM-it të 2 dhjetorit 2011” në detaje përcakton këtë marrëveshje mes dy vendeve.

Në të janë të specifikuara që nga çështjet thelbësore e deri tek ato teknike, megjithëse gjuha e përdorur në të është mjaft e balancuar që të mos cenojë interesat e asnjërës nga palët.

Lexoni tekstin e plotë të marrëveshjes.


23 shkurt 2012
Protokolli Teknik për zbatimin e Konkluzave të Dakorduara të Dialogut IBM-it[1] të 2 dhjetorit 2011


A. Dispozitat e përgjithshme:

1. Në përputhje me konkluzat e dakorduara të IBM-it, me Traktatin e Lisbonës dhe legjislacionin relevant të BE-së[2] dhe duke pasur parasysh se të dyja Palët janë pjesë e agjendës së BE-së për Ballkanin Perëndimor, atyre do t’ju kërkohet që gradualisht të harmonizojnë legjislacionin e tyre më atë të BE-së dhe në veçanti ta zbatojnë konceptin e IBM-it, ashtu siç paraparë në Konkluzionet e Këshillit të Bashkimit Evropian të 4-5 dhjetorit 2006;

2. Duke vepruar në mirëbesim, Palët do t’i vendosin dhe do të fillojnë funksionalizimin e pikëkalimeve të përbashkëta të IBM-it (në tekstin e mëtejshëm “PK”) Jarinjë/Rudnica; Bërnjak/Tabalije; Dheu i Bardhë/Konçul; Merdarë/Merdare; Mutivodë/Mutivoda and Muçibabë/Depce;

3. “PK-të” do të vendosen në zonën e përbashkët të IBM-it (në tekstin e mëtejshëm “ZPK”) ku një prani e balansuar e të gjitha autoriteteve kompetente, në përputhje me nevojat, siç janë Dogana, Policia, Fitosanitaria dhe Veterina dhe shërbimet e tjera përcjellëse dhe ndihmëse të secilës palë do të kryejnë kontrollat ndarazi brenda pjesës së vetë të zonës së përbashkët të IBM-it, në përputhje me përgjegjësitë dhe obligimet ligjore përkatëse nën jurisdiksionin e vetë përkatës, duke respektuar në plotëni të drejtat e njeriut të garantuara me standarde evropiane dhe ndërkombëtare;

4. Vendosja e “PK-ve” brenda “ZPK” do të thjeshtësojë kryerjen e aktiviteteve që lidhen me kontrollin e personave, mallrave dhe automjeteve në “PK” , në interes të lehtësimit të kalimit të personave, automjeteve dhe mallrave si dhe të parandalimit, detektimit dhe hetimit të çfarë aktiviteti kriminal;

5. Palët do të fillojnë së vendosuri dhe funksionalizuari “PK-të/ZPK” Jarinjë/Rudnice, Dheu i Bardhë/Konqul, Bërnjak/Tabalije dhe Merdarë /Merdare. Vendosja dhe funksionalizmi i “PK-ve/ZPK” Muçibabë/Depce dhe Mutivodë/Mutivode do të fillojë në një fazë të mëvonshme;

6. Në përputhje dhe gjatë kohëzgjatjes së mandatit të tij3, në vendkalimet Jarinjë/Rudnicë dhe Tabavije/Bërnjak, kjo prezencë do të përfshijë zyrtarë të EULEX-it. EULEX-i do të jetë i pranishëm poashtu në vendkalimet Dheu i Bardhë/Konçul, Merdare/Merdarë, Mutivodë/Mutivode dhe Depce/Muçibabë;

7. Komisioni Evropian (Drejtoria e Përgjithshme për Zgjerim), pas konsultimit me Palët dhe EULEX-in, do të hulumtohen mundësitë për financimin e zhvillimit të “PK/ZPK”. Gjithashtu, do të hulumtohen mundësitë për bashkëfinancim të “PK/ZPK” ndërmjet Palëve;


8. Në pritje të procedurave financiare të përmendura në pikën 8, Palët do të hulumtojnë mundësitë e vendosjes së shpejtë të objekteve të përkohshme për praninë e shërbimeve të parapara në pikën 3. BE do të bëjë përpjekjet më të mira për t’i angazhuar Palët për zbatimin e kësaj sa më parë që është praktikisht e mundshme pas hyrjes në fuqi të këtij Protokolli;

9. Liria e lëvizjes do të vazhdojë sipas marrëveshjes në konkluzat e Dialogut.

B. Grupi implementues

10. Një grup i ri trepalësh (tash e tutje në tekst i referuar si IG) siç është paraparë të themelohet nga konkluzionet e Dialogut dhe i kryesuar nga BE, do të formohet pas përfundimit të këtij Protokolli Teknik dhe do të jetë përgjegjës për zbatimin e këtij Protokolli Teknik, do të ketë mundësi të propozojë masa ose zgjidhje lidhur me çështjet që lidhen me zbatimin e këtij Protokolli Teknik dhe të propozojë masa për zgjidhjen e kontesteve dhe/ose konflikteve. GI do t’i miratojë procedurat e veta të punës;

11. GI do të takohet dy herë në vit në nivel të lartë. Përveç kësaj, GI mund të thirret në këtë nivel me kërkesë të cilësdo Palë.

12. Përbërja/nivelet e GI janë të parapara në pjesën E të këtij Protokolli Teknik;

C. 'PK/ZPK'

13. Përmes këtij Protokolli Teknik, Palët, brenda një “ZPK” të shenjuar bashkërisht, do të vendosin objekte dhe infrastrukturë adekuate të “PK” për një prani të balancuar, në përputhje me nevojat, nga të dy palët të të gjitha organeve kompetente të secilës Palë për kryerjen e kontrolleve në përputhje me përgjegjësitë dhe detyrimet e veta përkatëse ligjore në fuqi;

14. Objektet e përbashkëta, të integruara, të vetme dhe të sigurta do të vendosen përbrenda një “zone të përbashkët të vendkalimeve të IBM-it,” të shënjuar bashkërisht, ku zyrtarët e secilës palë kryejnë kontrollet përkatëse. Fasilituar nga BE, Grupi teknik trepalësh do të dakordojë hollësitë lidhur me vendosjen e zonave të përbashkëta të IBM-it duke i marrë parasysh kushtet gjeografike dhe teknike në terren. Secila palë do të vendosë për lokacionin e zonave të përbashkëta të IBM-it n pjesën e vetë të territorit;

15. “ZPK-të” do të përfshijnë segmentet rrugore, të objekteve, të objekteve ndihmëse, objekteve përcjellëse siç janë toaletet, rrethojat dhe ndriçimi ose çfarëdo hapësire ose objekt i nevojshëm për zbatimin e kontrolleve/procedurave përkatëse nga organet kompetente përkatëse;

16. Dizajni i çdo “PK/ZPK” duhet t’i përmbahet skemës së “PK/ZPK” të diskutuar nga Palët, e cila do t’i përshtatet kushteve/nevojave/ komunikacionit/relievit të çdo “PK/ZPK”;

17. Secila Palë do të mbulojë shpenzimet operative/të mirëmbajtjes në pjesën e vetë të “PK/ZPK”;

18. “PK/ZPK” do të funksionojë 24/7. Palët do ta njoftojnë njëra-tjetrën për procedurat e tyre për procesimin e personave, automjeteve dhe mallrave dhe për çdo ndryshim të tyre;

19. Policia do të operojë në të gjitha “PK/ZPK” zakonisht me orar të punës me ndërrime 12 orëshe të cilat do të harmonizohen ndërmjet Palëve për të siguruar një qarkullim të pandërprerë të njerëzve, automjeteve dhe mallrave. Hollësitë tjera do të diskutohen dhe dakordohen nga GI. Dogana do të operojë me orar të njëjtë të punës në të gjitha “PK/ZPK” me përjashtim të Mutivodës/Mutivode ku Policia do të jetë autoriteti i vetëm i pranishëm. Shërbimet fitosanitare dhe veterinare do të operojnë vetëm brenda Terminaleve Doganore zakonisht me ndërrime 12 orëshe të cilat do të harmonizohen ndërmjet Palëve për të siguruar një qarkullim të pandërprerë të njerëzve, automjeteve dhe mallrave nëpër “PK/ZPK”. Procesimi/qarkullimi i kafshëve të gjalla dhe bimëve do të bëhet përmes “PK/ZPK” Merdarë/Merdare dhe Jarinjë/Rudnica.

20. Gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare në zonën e përbashkët të menaxhimit të integruar kufitar, zyrtarët nga të dyja Palët do të gëzojnë imunitetet dhe privilegjet përkatëse dhe t’iu përgjigjen organeve të veta kompetente të origjinës.

21. Zyrtarët e secilës Palë, gjatë hyrjes-daljes dhe gjatë ushtrimit të detyrave të tyre zyrtare duhet t’i bartin uniformat dhe emblemat e tyre zytare;

22. Zyrtarët e secilës Palë do të bartin një kartën zyrtare të identifikimit dhe një autorizim zyrtar të cilat i japin të drejtë zyrtarit që të hyjë dhe punojë në pjesën e vetë të “ZPK”. Karta zyrtare e identifikimit duhet të lëshohet nga organi kompetent i secilës palë. Secila Palë e njofton Palën tjetër se cilat karta identifikimi janë të vlefshme për hyrje-dalje në “ZPK”;

23. Në pjesën e vetë të zonës së përbashkët të menaxhimit të integruar kufitar, përdorimi i forcës dhe masat e tjera të zbatimit të ligjit nga e Palëve rregullohen me legjislacionin e përkatës të secilës Palë;

24. Përjashtimisht dhe kufizuar vetëm në zonat e përbashkëta të zonës së përbashkët të menaxhimit të integruar kufitar Palët nuk do të shfaqin simbolet e juridiksioneve të tyre përkatëse[3];

25. Informacionet funksionale në “ZPK” do të postohen në gjuhët zyrtare. Përveç kësaj, tekstet do të postohen edhe në anglisht;

D. Funksionimi i “PK/ZPK”

26. Brenda “ZPK”, procesimi i personave, automjeteve dhe mallrave nga zyrtarët e territorit të daljes do të kalojnë të procesohen nga zyrtarët e territorit të hyrjes. Pas largimit nga territorit i daljes, personat, automjetet dhe mallrat nuk mund të procesohen më nga zyrtarët e daljes përveç nëse u është refuzuar hyrja nga zyrtarët e territorit të hyrjes;

27. Personat dhe mallrat të cilëve u është refuzuar hyrja në territorin e njërës Palës duhet të kthehen në territorin e Palës tjetër;

28. Lidhur me azilin dhe migracionin do të zbatohen ligjet përkatëse të secilës Palë;

29. Kontrolli i lehtësuar mund të zbatohet në rrethana të jashtëzakonshme dhe të paparishikueshme të shkaktuara nga shkalla e shtuar e qarkullimit. Në këto raste, autoritetet kompentete të secilës Palë do të marrë masa për lehtësimin e trafikut të ngjeshur. Masat e tilla të lehtësuara do të vendosen vetëm në baza të përkohshme. GI do të hartojë dhe dakordojë hollësi të tjera varësisht sipas rrethanave dhe nevojave;

30. Palët do të hartojnë dhe vendosin plane rezervë lidhur me ngjarje të mundshme të paparashikuara dhe/ose të papritura. Në rastet e tilla, Palët, në bazë të kërkesës, do t’i ofrojnë njëra-tjetrës ndihmë reciproke. Hollësitë do të hartohen dhe dakordohen nga GI;

E. Shkëmbimi, përpunimi dhe përdorimi i informatave

31. Pa paragjykuar çfarëdo obligimi në të cilat kanë hyrë Palët me BE-në dhe/ose organizatat ndërkombëtare, Palët do të vendosin mekanizma me qëllim të shkëmbimit të informatave dhe të dhënave tjera të cilat janë ose mund të jetë relevante për parandalimin, detektimin dhe hetimin e aktiviteteve kriminale si dhe për mbrojtjen e jetërave dhe shëndetit të njerëzve, kafshëve dhe bimëve, ambientit dhe sigurisë së ushqimit në pjesën e tyre të përgjegjësisë, duke përfshirë shkëmbimin e të dhënave statistikore të qarkullimit të njerëzve dhe të mallrave me qëllim të zbulimit të aktiviteteve të paligjshme;

32. Asnjëra Palë nuk do t’i përdorë informata dhe të dhënat e tjera të ofruara nga pala tjetër përpos për qëllimet e përmendura në pikën 31 e as nuk do t’ua vëjë ato informata në dispozicion një Pale tjetër, përveç organeve përkatëse të BE-së. I tërë përpunimi i të dhënave do të bëhet në përputhje të plotë me standardet e BE-së për mbrojtjen dhe përpunimin e të dhënave;

33. GI, në format adekuat për plotësuar kushtet e përmendura në pjesën E do të jetë përgjegjëse për të siguruar shkëmbimin, përpunimin dhe përdorimin e informatave;

34. Për këtë qëllim do të mbahen takime të rregullta në të gjitha nivelet (lokale, regjionale, qendrore). Intervalet e këtyre takimeve do të rregullohen dhe dakordohen nga GI;

35. GI do të hartojë/miratojë dispozita të hollësishme për shkëmbimin, përpunimin dhe përdorimin e informatave dhe të dhënave tjera siç parashihet në pikën 32, në përputhje të plotë me standardet e BE-së;

36. BE do të bëjë përpjekjet më të mira për të lehtësuar shkëmbimin e informatave nga Palët përmes nismave/projekteve/sistemeve të vendosura nga BE (psh. Sistemi i Shkëmbimit Elektronik i të Dhënave (S.E.E.D.)etj.);

F. Përgjegjësitë/Obligimet

37. Për çdo kundërvajtje ose shkelje penale si dhe për çdo obligim ose dëm në lidhje me kryerjen e detyrës zyrtare në “ZPK”, Pala e cila e ka caktuar zyrtarin i cili ka kryer veprime të tilla do të jetë përgjegjëse dhe legjislacioni i Palës përkatëse / autoritetet përkatëse të zbatimit të ligjit janë përgjegjëse;

38. Pala e njofton menjëherë palën tjetër në rast të kundërvajtjes ose shkeljes penale nga ana e ndonjë zyrtari të saj;

39. Lehtësuar nga BE, Palët do të synojnë të vendosin ndihmë reciproke ligjore;

G. Dispozitat përfundimtare

40. Lehtësuar nga BE, zbatimi i këtij Protokolli Teknik do të fillojë menjëherë pas nënshkrimit të tij. Për këtë qëllim, Grupi trepalësh Teknik do të mblidhet menjëherë pas nënshkrimit të Protokollit Teknik;

41. Ndryshimet në këtë protokoll do të diskutohen dhe dakordohen nga ana e GI;

42. Pas konsultimit me BE-në, secila palë është e lirë të njoftojë për shkëputjen e këtij Protokolli Teknik gjë që do zbatohet përmes njoftimit të të gjitha Palëve të këtij Protokolli Teknik. Shkëputja do të hyjë në fuqi dymbëdhjetë muaj pas njoftimit;

43. Pas shkëputjes së këtij Protokolli Teknik, mjetet e ofruara nga secila Palë do të mbesin në pronësi të asaj Pale. Mjetet e ofruara përmes financimit të BE-së do të trajtohen në përputhje me dispozitat në Termat e Referencës dhe/ose kontratat.

[1] Njëra palë e njeh vijën si kufi shtetëror; pala tjetër e njeh vijën si kufi administrativ.
[2]Siç është definuar në Kodin Kufitar të Shengenit, Rregulloren e Frontexit, Rregulloren për Trafikun e Kufinjve Lokalë, Rregulloren VIS dhe Kodin e Komunitetit për Vizat.
3 Siç është paraparë në Council Joint Action 2008/124 CEFSP, Neni 3, Pika a.
[3] Kjo është përkufizuar mëtej në letrën e Lehtësuesit dërguar secilës palë me 6 dhjetor 2011.
Shtuar më 05/03/2012, ora 22:40

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori