Ja çfarë thotë Fatmir Xhafaj për ligjin e dekriminalizimit
Kryetari i Komisionit të Ligjeve dhe i atij për Reformën në Drejtësi Fatmir Xhafaj duke folur për dekriminalizimin tha se ka kundërshtuar në forumet e Partisë Socialiste para zgjedhjeve të 2013-ës futjen në listën e deputetëve të kandidatëve të përfolur si të inkriminuar.

“Është e turpshme kjo që ka ndodhur në Parlamentin shqiptar, në sensin që janë ulur në Parlament njerëz me precedentë të rëndë penalë. E kam mbajtur një qëndrim për këtë çështje para zgjedhjeve në 2013 brenda forumeve të Partisë Socialiste. I kam bërë vërejtjet në një forum kolegjial”, tha ai.

Xhafaj dha edhe versionin e tij se përse nuk e ka votuar ligjin e dekriminalizimit.

“Ajo që e bën të dhimbshme dhe qesharake gjithë këtë histori është mënyra sesi është trajtur gjithë ky proces, që më ka bërë të jem reagues. Unë nuk votova në Parlament për këtë ligj, jo se jam kundër këtij ligji, por nuk mendoj që pavarësisht kauzës, lufta duhet të justifikohet përmes normave kushtetuese dhe procedurave parlamentare sepse rrugë të tilla çojnë gjithmonë në ligje klienteliste dhe zgjidhje të gabuara si kjo që ndodhi. Rruga që u ndoq ishte e gabuar, u ndryshua Kushtetuta në 7 nene më keq se në 2008-n, kanë ardhur propozimet të mërkurën dhe deputetët i kanë lexuar të enjten”, tha Xhafaj.

Deputeti i PS-së ndau mendimin se më tepër se dekriminalizimi, për shqiptarët ka rëndësi reforma në drejtësi dhe moslejimi i korrupsionit politik.

“S’mund të bësh ti ligj për të nxjerrë nga Kuvendi një person të vetëm”, tha ai. /Albeu.com/
Shtuar më 03/03/2016, ora 22:23
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori