Kërcënon Putin: Nuk matemi dot me NATO-n, por kujtoni që jemi fuqi bërthamore

Presidenti Vladimir Putin, ka kërcënuar hapur me një luftë të mundshme bërthamore Perëndimin, në rast të nisjes së një konflikti të armatosur me Rusinë.

Komentet Putin i bëri pas bisedimeve për rreth 5 orë me Presidentin francez Emmanuel Macron në Kremlin.

Putin tha gjithashtu se do të bënte gjithçka për të gjetur kompromis të përbashkët, që do të shmangte konfliktet.

“A e kuptoni apo jo? Nëse Ukraina do të anëtarësohej në NATO dhe vendos të rimarrë ushtarakisht Krimenë, shtetet europiane automatikisht do të përfshiheshin në një konflikt ushtarak me Rusinë. Sigurisht që armatimet dhe potenciali i NATO-s dhe Rusisë nuk krahasohen, dhe ne e dimë këtë. Por ne dimë gjithashtu që Rusia është një ndër fuqitë më të mëdha bërthamore, dhe qëndron para shumë shteteve të tjera sa i përket modernizimit. Nuk do të kishte fitimtarë”, tha Putin në konferencë për mediat me homologun francez.

Ai i bëri thirrje Ukrainës që t’i përmbahej Marrëveshjes së Minskut, sipas të cilës vendi synon t’i japë fund luftës me separatistët rusishtfolës në krahinën e Dobasit. Presidenti rus tha gjithashtu se Uashingtoni dhe Brukseli kishin ngritur disa shqetësime që mund të diskutohen, edhe pse për Rusinë ato ishin dytësore.

Rusia ka pozicionuar më shumë se 100 mijë trupa pranë kufijve me Ukrainën, por mohon pretendimet se po përgatit një sulm. Zyrtarët amerikanë, që mbështeten në informacione të inteligjencës, paralajmëruan se pushtimi i mundshëm i Ukrainës nga Rusia mund të shkaktojë deri në 50 mijë viktima. Ata vlerësojnë gjithashtu se në rastin e një sulmi, Kievi do të pushtohej brenda pak ditësh, ndërsa do të nxitej një krizë refugjatësh ne Europë, me miliona njerëz që do të largoheshin nga vendi.

Nga ana tjetër, trupat amerikane shtesë mbërritën në Poloni të shtunën, pjesë e kontingjentit që Shtetet e Bashkuara po dërgojnë në vend, si pjesë e planit për të forcuar mbrojtjen në kahun lindor të aleancës. Administrata Biden njoftoi pak ditë më parë se do të dërgojë afërsisht 3 mijë trupa shtesë në Europën lindore.