Itali, kriza ndikon në sistemin bankar
Pas deklaratës së Kryeministrit Silvio Berlusconi i cili informoi se do të japë dorëheqjen vetëm kur disa reforma kyçe të zbatohen, niveli i huamarrjes ka kapur shifra rekord në këtë vend.

Norma e interesit të fiksuar në letrat me vlerë 10-vjeçare të qeverisë italiane ka arritur tashmë në 7%, çka përbën interesin më të lartë që Roma duhet të paguajë që prej kalimit në monedhën e përbashkët euro, në vitin 1999.

Defiçiti i lartë buxhetor dhe frika se Italia mund të jetë vendi i radhës ekonomia e të cilit do të ketë nevojë për një dorëzani europiane, po krijon për momentin kushte aspak të favorshme për Romën zyrtare, e cila ka nevojë absolute për investime.

”Askush nuk dëshiron t’i japë para një vendi kur dihet që ai vend do t’i përdorë ato thjesht sa për të paguar interesat e kredive të mëparshme. Kjo është njësoj sikur të hedhësh gjak të pastër në një trup të sëmurë”, shprehet eksperti i BBC-së për ekonominë, Robert Peston.

Ditën e martë, Komisioneri Europian për Ekonominë, Olli Rehn, e cilësoi situatën në ekonominë italiane si “shumë shqetësuese” dhe bëri thirrje për zbatimin sa më të shpejtë të reformave të domosdoshme.

Ndërkohë, ndikuar nga frika e një kolapsi italian dhe paqartësisë rreth momentit grek, bursat europiane vazhdojnë të humbin në mënyrë të vazhdueshme vlerë. Bankat kryesore gjermane dhe franceze, si “Deutsche Bank”, “Allianz”, “Commerzbank”, “BNP Paribas” apo “Societe Generale”, regjistruan humbje nga 4-7% të mërkurën. /albeu.com/
Shtuar më 09/11/2011, ora 16:22
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori