Ksamili humbet pikë në vlerësim, turistët e huaj nxijnë Shqipërinë

Jugu i Shqipërisë dhe veçanërisht Ksamili “pushtuan” mediat ndërkombëtare këtë sezon veror, por mesa duket shkëlqimi po zbehet në këtë fund gushti.

Nëse në ditët e para të verës apo gjatë muajit korrik mediat i bënë jehonë Ksamilit duke e krahasuar madje dhe me Maldivet, dhe vlerësimi ishte 5 nga 5, tashmë ky vlerësim ëhstë zbehur shumë.

Platforma ndërkombëtare “TripAdvisor”, tregon se vlerësimi për Ksamilin ka rënë në 2, duke e humbur shkëlqimin e e fillimit, pasi turistët që kanë vizituar vendin tonë kanë mbetur të pakënaqur, raporton AlbEu.com.

Ndërkohë ndryshe nga sa u shit në fillim si parajsa e vogël e tokës, apo Maldivet shqiptare etc etc, turistët e huaj vunë re se në Ksamil, por dhe në pjesën tjetër të Shqipërisë, nuk ishte ashtu siç reklamohej në agjensitë turistike, realiteti ishte krejt ndryshe, çmime të kripura, shërbim arrogant, madje shpesh janë ndier edhe të fyer.

Më poshtë keni disa nga reagimet e turistëve të huaj:

“Shumë i shtrenjtë dhe sjellje arrogante nga vendasit. Po, uji është i pastër, por vetëm nëse shkoje herët në mëngjes. Nuk ka plazh publik dhe më është kërkuar të paguaj mbi 100 euro për dy shezlonge. Çmimi që kam paguar për taksi është i krahasueshëm me një shërbim premium në Londër dhe shpesh të ndryshojnë çmimin ndërkohë që ju jeni brenda në taksi. Udhëtimi më i mirë… të mos shkosh”, shkruan Ivana nga Britania e Madhe.

“Njerëz të pasjellshëm. 10 euro parkimi dhe duhet të ecësh 30 minuta të gjesh një plazh që nuk është rezervuar plotësisht. Mbipopullim”, shkruan Fjore nga Britania e Madhe.

“Ne erdhëm, qëndruam një natë dhe u larguam përsëri. Vend i mbipopulluar me hotele dhe apartamente të ndërtuara ngado jashtë çdo logjike. Çdo gjë është ndërtuar për biznes pa respekt për natyrën e bukur”, shkruan Ivana nga Italia.

“Hera ime e parë në Ksamil dhe e fundit. Përvoja më e keqe që kam pasur në Shqipëri. Banorët vendas dhe bizneset kanë zero mikpritje, thjesht rendin pas parasë”, shkruan Sofia.

“Ata na anuluan dhomën që kishim rezervuar dy muaj më parë sepse dikush tjetër iu kishte dhënë një çmim më të mirë. Vendi është krejt ndryshe nga fotot. Rrugët janë plot trafik dhe plzhet shumë të shtrenjta pa arsye. Është i vetmi vend në Shqipëri ku nuk do të shkojë më. Ky vend është një makth”, shkruan një pushues tjetër.

“Mos shpenzoni kohë të vini këtu. Ata pothuajse të shesin edhe ajrin që ju thithni. Tregtarët janë hileqarë dhe të pasjellshëm. Zero mikpritje! Çdo gjë është e mbivlerësuar. Rëra në plazh nuk është reale (natyrale)”, shkruan Murati, një tjetër turist që ka qënë në Ksamil teksa poston edhe faturën në një restorant, i cili i ka marrë pagesë edhe për përdorimin e salcës ketchup.

“Mos iu besoni videove në internet. Do të humbisni shumë para në “restorante” që në fakt janë zgara me ushqim të shpejtë. Pothuajse të gjithë këtu do përpiqen t’ju mashtrojnë, veçanërisht tregtarët dhe shoferët e taksive. Vijnë njerëz te stacioni i autobusit dhe iu thonë turistëve që autobusi është anuluar, në mënyrë që ata të detyrohen të paguajnë taksi mbi 30 euro për një udhëtim 15 apo 20 minuta. Plazhet janë të mbipopulluar dhe nëse nuk paguani 25 euro për shezlong, do t’ju vijnë rojet e sigurisë megjithëse asnjë plazh nuk është privat”, shkruan një komentues tjetër.

 


Shtuar 25.08.2023 19:28