Ish-ministri i Ramës del kundër të tijëve: Dekreti i Metës qëndron në fuqi
Ish-ministri i qeverisë Rama për Marrëdhënien me Parlamentin, Ilirian Celibashi ka analizuar lëvizjet e fundit në politikën shqiptare që lidhen me vendimin e Kolegjit Zgjedhor për të rrëzuar ç’dekretimin që Presidenti Ilir Meta i bëri datës së zgjedhjeve.

“Për këtë akt ka pasur një kundërshtim nga një subjekt zgjedhor, që ka pretenduar se nuk mund të ketë zgjedhje dhe Kolegji ka shqyrtuar këtë çështje dhe ka konkluduar se vendimi i KQZ është në përputhje me ligjin dhe përgatitja e procesit zgjedhor është në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën”, tha Celibashi në parantezën e tij.

Më tej ai shpjegoi se “vendimi i Kolegjit nuk ka të bëjë fare me zhvleftësimin e kushtetueshmërisë së dekretit”.

“Kjo është çështje që i përket Gjykatës Administrative dhe në mungesë të Gjykatës Kushtetuese. Kolegji Zgjedhor nuk e ka pasur dhe nuk e ka kompetencën të shqyrtojë vlefshmërinë e drejtit të Presidentit”, theksoi Celibashi.

“Pra dekreti i Presidentit qëndron në fuqi?”, ishte pyetja e moderatores së “Open” Eni Vasili pas analizës së tij dhe Celibashi iu përgjigj: “Grupi i atyre të cilëve u përkas dhe unë, konsiderojnë se dekreti i Presidentit të Republikës është një akt i pavlefshëm. Unë nëse në mënyrë arbitrare e konsideroj aktin absolutisht të pavlefshëm do të kisha pasoja”.
Shtuar më 25/06/2019, ora 21:47
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori