Iliri do merrte pushtetin pas vdekjes së Enverit, Teuta Hoxha i përgjigjet Lilianës
Pëlqej
Liliana Hoxha, gruaja e djalit të Enver Hoxhës, Sokolit ka hedhur shumë akuza të rënda ndaj familjes së diktatorit, ku kryesisht e ka vënë theksin në faktin se ishte Nexhmija ajo që e vrau Enverin.

Në një intervistë në Gazetën Panorama, Liliana tha gjithashtu se sipas një plani të përcaktuar nga Nexhmija dhe Ramiz Alia, Iliri, djali i madh i diktatorit do të ishte edhe trashëgimtari i pushtetit.

Liliana Hoxha rrëfen se:

Iliri ka qenë i përgatitur për të trashëguar pushtetin bashkë më të ëmën, Ramizin dhe djalin e tij, Arben Alia. Mua kjo tendencë më dukej qesharake, se nuk ishim dinasti. Por nuk ishte qesharake. Ishte një plan shumë më i hershëm se Katovica. Kjo e fundit vetëm sa iu shpërndau pushtetin në disa duar, që do përfaqësonin pozitë-opozitë krejtësisht të kapura prej tyre. Pasi likuiduan të gjitha pengesat, iludoheshin që u erdhi radha atyre. Kush tradhtoi njeri-tjetrin, Ramizi Nexhmijen apo e kundërta, le ta zbulojë kush të dojë. E sigurt është që likuiditetin ekonomik të Shqipërisë e përvetësoi Arben Alia, që punon bankier në Paris”.

Pas deklaratave të forta të Lilianës, gazeta Dita, iu drejtua familjes së diktatorit për të marrë një reagim prej tyre. Familjarët e Enver Hoxhës i sugjeruan gazetës si përgjigje një letër që Nexhmija i dërgonte Ilirit dhe Teutës në vitin 2008 me rastin e 100 vjetorit të lindjes së diktatorit. Letra është botuar edhe në librin e Teuta Hoxhës “Enveri në kujtimet e mia”, i cili doli në treg rreth një vit më parë.

Letra e plotë e Nexhmije Hoxhës

“Të dashurit bijtë e mi, Ilir e Teuta, Në hyrje të Vitit të Ri 2008, vit ky i veçantë për familjen tonë, viti i 100 vjetorit të lindjes së njeriut tonë më të dashur, Enverit, unë do të përmbledh urimin tim për ju të dy me një shprehje jo të zakonshme: “Qofshi të gëzuar e paçi bekimin tim për gjithë jetën!”

Bekimi duket sikur është një atribut fetar, që jepet nga zoti ose një i shenjtë. Jo! Unë nuk njoh zot. Perëndia ime është ndërgjegjja, mirësia, dashuria, ndershmëria, e vërteta, bukuria te njeriu, shoqëria e natyra. Unë s’jam e shenjtë, bekimi im është “bekimi i nënës”, bekimi më i sinqertë dhe i pastër, i dalë nga zemra me gjithë shpirt. Lum kush e fiton!

Ky “bekim” nuk është një pasuri në para e flori, në prona e të mira materiale, po është një pasuri e paçmueshme shpirtërore që njeriu e fiton me respekt, dashuri, mençuri e mirësjellje ndaj asaj që e ka sjellë në jetë dhe ndaj atyre që e kanë rritur e ndihmuar të bëhet “njeri”.

Të kesh bekimin e nënës dhe respektin e gjithë atyre që ke pasur përkrah në rrugën e jetës, të bën të jetosh i qetë, në paqe me ndërgjegjen tënde, i dashur dhe i lumtur në familje, i nderuar në shoqëri.

U bënë 20 e ca vjet që po rroj pa Enverin, po ishit veçanërisht ju, ti Ilir me Teutën e fëmijët tuaj, edhe Pranvera me të sajët, që ma bëtë jetën të jetueshme, me përkujdesjet e veçanta dhe dashurinë e ngrohtë që më rrethuat në vetminë e madhe që më la Enveri. Prandaj e meritoni “bekimin e nënës”.

Në qoftë se mund të them se goditjet e kundër- revolucionit antikomunist të viteve ’90 i përballova me guxim e dinjitet, këtë e arrita edhe se pata mbështetjen e vendosur të familjes sonë, me të mëdhenj e të vegjël, të bashkuar fort në mbrojtje të emrit të nderuar e kujtimit të dashur të Enverit tonë.

Ti, Ilir, u ndodhe e qëndrove i palëkundur në ballë të një lufte të egër hakmarrëse, përballove përndjekje të paimagjinueshme, akte barbare si ai i zhvarrimit të babait tënd, shpërnguljen me dhunë dhe degdisjen e familjes tënde në një skaj të Tiranës, në një banesë gjysmë të shkatërruar, pa drita e ujë. Me shumë sakrifica ti, Ilir, bashkë me Teutën, më ndoqët me gjithë përkujdesjet e plotësimit të nevojave deri në burgun famëkeq të Tepelenës.

Mbrojtjen publike në shtyp të emrit e veprës së babait tënd, si edhe në gjyq, ti e pagove me burgim, të cilin e durove dhe e kreve si bir i denjë i Enverit. Por ti munde të përballosh e të dalësh i nderuar nga kjo luftë e pamëshirshme e forcave reaksionare, revanshiste, antikomuniste e antikombëtare, sepse përkrah teje pate shoqen e jetës tënde, Teutën. Teuta me një mobilizim total, me vendosmëri e guxim shembullor, përballoi jo vetëm rrufetë që ranë mbi kokën e bashkëshortit të saj, por ajo s’u tremb e s’u ligështua as kur t’ashtuquajturit demokratë që përmbysën pushtetin popullor, lëshuan forcat e tyre të errëta, huliganët, falangat nga burgjet dhe rrugaçë injorantë të verbër, kundër gjithë familjes Hoxha dhe shtëpisë së tyre, për ta grabitur e djegur.

Ajo, pa marrë parasysh rreziqet që e kërcënonin, duke hyrë e dalë disa herë nga shtëpia, tërhoqi sendet më të nevojshme jo vetëm të fëmijëve e të familjes së saj, por edhe të miat, të Sanos, të Pranverës. Nuk do të harrojmë kurrë se në këtë “aksion” të rrezikshëm mori pjesë me trimëri Beli, mëma e Teutës, jo vetëm për të ndihmuar vajzën e saj, por gjithë familjen tonë, kur sejmenët e Sali Berishës erdhën për t’ju nxjerrë nga shtëpia (vila 6).

Nëqoftëse unë, kur dola nga burgu, gjeta një krevat për të fjetur, bibliotekën me veprat e Enverit si dhe 2-3 kolltukë ku të pres miqtë, këto i kam në sajë të kujdesit të Teutës. Krahas punimeve për t’i bërë disi të banueshme ambientet që i dhanë Ilirit e Pranverës përtej Laprakës, që si për poshtërim ia vunë emrin “te pularia”, Teuta (edhe pasi u burgos Iliri) përballoi plotësimin e nevojave për fëmijët e saj, për Ilirin e mua në burg si edhe për Sanon, që u vendos në një garsonierë pranë, duke e ndihmuar me shërbime që kish nevojë mosha e saj, duke i bërë edhe 1 a 2 herë në ditë injeksionin e insulinës për diabetin që kish, siç ia kish bërë edhe te vila 6, gjatë mungesës sime, kur isha në burg.

Karakterin e saj të fortë, Teuta e tregoi veçanërisht gjatë arrestimit e burgimit të Ilirit. Si për çdo grua shqiptare burgosja e burrit, e babait të fëmijëve, vajtja për takim në ato ambiente të frikshme, qenë strese jashtëzakonisht të rënda.

Të jesh një grua e re, siç ishte Teuta, e të marrësh rrugën vetëm me djalin adoleshent ose një mik si shofer e të kalosh një zonë të shkretuar, siç qe ajo ku ndodhej burgu famëkeq i Bardhorës (Kavajë), në një kohë që pritat e banditëve për grabitje e dhunim ndodhnin edhe në mes të qyteteve kryesore e jo më në rrugë të humbura, ishte me të vërtetë një akt trimërie e vendosmërie e një gruaje të re, që ajo e bënte nga dashuria për shokun e saj të jetës, Ilirin, po njëkohësisht dëshmonte respektin e palëkundur për emrin e veprën e babait, Enver Hoxhës, të cilit ajo i dha tre nipër të mrekullueshëm.

Ajo vazhdoi të udhëtojë sa në një burg në tjetrin, duke mos harruar të më vizitojë edhe mua, si kur isha në burgun e largët të Tepelenës edhe kur Pranverës iu desh të merret edhe ajo me burgimin e bashkëshortit të saj, Klementit, pas akuzave absurde të Sali Berishës. Të gjitha këto që përmenda vërtetojnë atë fjalën e urtë të popullit: “Njeriu njihet në kohë të vështira”. Teuta e tregoi këtë.

Koha tregoi se ti, Ilir, kishe bërë një zgjedhje të mirë për shoqen e jetës. Se gruaja mund të bëjë të lumtur, ajo mund edhe të ta nxijë jetën. Një shembëlltyrë e tillë i ndodhi djalit tjetër tim, Sokolit, për fatkeqësinë e tij e të familjes sonë, u lidh me një grua jo vetëm të sëmurë nga nervat, por të sëmurë nga koka e të ligë nga shpirti. Siç tregoi koha, ajo kish qenë mish i huaj që kur hyri në shtëpinë tonë, po që me ndryshimin e klimës politike në vend erdhi në dekompozim e degradimin e fundit politiko-moral. Që me ardhjen e forcave antikomuniste në pushtet, me goditjet që po i bënin familjes sonë, për shkak të emrit të madh e të lavdishëm të Enver Hoxhës që mbanim e mbronim, edhe ajo filloi të hedhë gurë.

Krejt ndryshe nga Teuta, ajo s’erdhi as edhe një herë, në 5 vjet burg, të më shohë, me justifikimin se “nuk duronte të më shihte n’ato ambiente”, por e vërteta është se ajo kish ndërtuar në kokë planin e saj diabolik (planin e saj ose të sugjeruar) për t’i hapur rrugën e ngjitjes shumë të dëshiruar të protagonizmit të personit të saj, duke tërhequr interesimin e opinionit publik me “zbulime” nga jeta në familjen Hoxha, duke i paraqitur çështjet gjoja në plan politik e në mbrojtje të Enver Hoxhës.

Unë, hap pas hapi, i kam analizuar e komentuar në fletoret e shënimeve e të refleksioneve të mia, gjithë qëndrimet e kësaj “politikaneje” e “opinioniste”-je të vetëshpallur, marrëzitë që ka thënë, gënjeshtrat, trillimet, shpifjet etj. etj., që i shfaqi haptaz në publik në vitet 2000. Por shpërthimet e humorit të saj të paekuilibruar me pjesëtarë të familjes ku haptazi, ku gjysmë të fshehta, ishin ndjerë edhe më parë. Duke qenë në burg, askush s’më ka shkruar letra aq të poshtra sa ajo.

Kur, me afrimin e daljes nga burgu, unë i shkruajta asaj se do të doja të vendosesha për ca kohë në shtëpinë e tyre (siç ishte e natyrshme të strehohesha te njëri nga djemtë e mi, i cili ishte në kushte më të favorshme me hapësirën për banim) dhe shtoja se do t’isha afër Vitës, për ta ngushëlluar e ndihmuar në dhimbjen e madhe për humbjen njëri pas tjetrit të djalit e të vajzës, reagimi i kësaj “nuseje” ishte i menjëhershëm, alarmoi Sokolin që ishte në Itali, i cili po ashtu më dërgoi urgjent një letër, me “argumentin” e justifikimin se bashkëjetesa me Vitën do t’ishte shqetësuese për mua.

Nuk ia vlen të zgjatem me marrëzitë e saj…

Të gjitha këto më shkaktuan një dhimbje të thellë, por nuk e lashë veten të më mposhtë, se kisha detyrime të tjera, politike e njerëzore, të mbroja publikisht Enverin nga fushata e ndyrë e antikomunistëve, ballistëve e gjithë skota e bashkëpunëtorëve me nazi-fashistët, që s’kanë pushuar së përbalturi emrin e figurën e Enver Hoxhës dhe nuk do të pushojnë të shtrembërojnë historinë 50 vjeçare të pushtetit popullor e të shoqërisë socialiste, nën udhëheqjen e tij.

Dhimbja e keqardhja për këtë lloj qëndrimi është e madhe, por në ndërgjegjen time kam qenë e jam e qetë, se në asnjë kohë, si në fëmini, në rini e më vonë, Sokolin e kam dashur njëlloj si Ilirin dhe Pranverën, është absurde ta mendosh e ta thuash, përse mund ta paskam dashur më pak (!!!), përse “unë s’paskam qenë kurrë nënë për të (!!!).

Përkundrazi jam kujdesur e i kam qëndruar më afër, sepse më vinte keq, se kish gruan me shëndet të dobët (kështu gjykonim atëherë kur kjo “nuse” nusëronte urtë e butë, duke buzëqeshur ose kur me “dobësitë” e saj të papritura na bënte t’i venim rreth shtratit a ta dërgonim në Paris). Për lidhjet afektive, normale me Sokolin, si nënë e bir, madje dhe me të shoqen, flet dhe Ditari im shumëvjeçar si dhe korrespondenca jonë me dhjetra e dhjetra letra.

Por unë nuk u lëshova edhe pse pata mbështetjen e ngrohtësinë e Ilirit e Pranverës, Teutës e Klemit si dhe të fëmijëve të tyre, po ashtu dhe të shumë shokëve e shoqeve, miqve e dashamirësve të familjesEnverit. Duke qenë ende në burg, Klemi më tha: “Ti ke në dispozicion shtëpinë tonë që na kanë dhënë nga Lapraka, do të jesh pranë Ilirit, deri sa të rregullohemi të vijmë edhe ne”. Klemi dhe Pranvera, për veten e tyre, me vite jetuan si mos më keq nëpër shtëpitë e njerëzve të tyre bujarë, duke fjetur në divane e krevatë portativë. Po për shërbimet, ndihmat e përkujdesjet e Klemit e Pranverës, nuk po zgjatem në këtë letër, që po e shkruaj më shumë për ju të dy, Ilir e Teuta.

Të dashur Ilir e Teuta,

Fillova t’u shkruaj një letër urimi për Vitin e Ri 2008, si vit i shënuar i 100 vjetorit të lindjes së Enverit dhe duke kujtuar se nga 10 janari 1997 kur unë u lirova nga burgu, u bënë më shumë se 10 vjet që po jetoj pranë jush, desha t’ju shpreh mirënjohjen time për dashurinë e përkujdesjet që keni treguar ju të dy ndaj meje, por padashur vajti “gjuha te dhëmbi i dhëmbur e i krimbur”, megjithëse ky kapitull për mua e për ju është i mbyllur.

Në fund, për ta mbyllur përgjithmonë, po ju lë një këshillë time, si nënë dhe për nderin e dinjitetin e familjesEnverit, që ju deri tani e keni mbajtur lart: “Ruajuni dhe në t’ardhmen nga provokacionet djallëzore e plot ligësi të intrigantes delirante të Iliriana Shella-Sotiri”.

Përpjekjet e saja, të mbuluara gjoja me formulime e akuza politike kundër Ramiz Alisë dhe Nexhmije Hoxhës s’kanë pasur qëllim tjetër veçse të më ndajnë mua nga Teuta e rrjedhimisht nga Iliri, sipas shembullit të saj në krahun tjetër, që më ndau nga Sokoli, po ashtu pa u ndalur në përpjekjet e saja, gjoja politike, për të më diskretituar mua para opinionit publik.

Unë uroj dhe shpresoj që të paktën fëmijët e Sokolit, që janë gjaku i Enverit dhe mbajnë emrin e tij, në t’ardhmen, pas nesh, ata vetë dhe fëmijët e tyre, që do të rriten në një klimë tjetër, ndoshta jo kaq të ngarkuar me konflikte politike, të ndjekin, bashkë me fëmijët tuaj e tëPranverës, në shembullin e tyre konsekuent, rrugën e drejtë në mbrojtje, brez pas brezi, të emrit, rolit e veprës së gjyshit të tyre, Enver Hoxhës.

Ilir e Teuta, unë ndjehem e lumtur që jam pranë jush, që ju shoh të lumtur e në harmoni e mirëkuptim të plotë me njëri-tjetrin, në përballimin e jetës e vështirësive të saj material-politike, për edukimin e fëmijëve tuaj me parimet e shëndosha morale, politike, kulturore e shoqërore.

Unë jam e lumtur që kam gjetur te ju të dy, bashkëpunëtorë të zellshëm në misionin tonë për të ruajtur të paprekur imazhin e Enverit, për ta bërë atë të njohur në brezat e rinj, kush ka qenë e për çka bërë ai për lirinë e Atdheut e ndërtimin e shtetit të pavarur e modern, të Shqipërisë socialiste, për përparimin kulturor, emancipimin shoqëror e mirëqenien e popullit shqiptar.

Ja, sa kemi shkelur në vitin e veçantë 2008, jo vetëm për familjen tonë, por për gjithë shqiptarët e ndershëm, atdhetarë e revolucionarë, kudo ku janë, të 100 vjetorit të lindjes së Enverit tonë. Në radhë të parë na bie neve, familjes së tij, për ta bërë vitin e 100 vjetorit të lindjes së Enver Hoxhës një vit të paharruar, të denjë për emrin e rolin e tij.

Po e mbyll këtë letër të gjatë edhe një herë me urimin:

Rrofshi e qofshi të gëzuar bashkë me fëmijët tuaj! Paçi bekimin tim për gjithë jetën! Dalshim faqebardhë në përkujtimin e 100 vjetorit të lindjes së Enverit tonë! Ju përqafoj me dashuri mëma juaj Nexhmije

Tiranë – janar – 2008.

Shtuar më 07/12/2017, ora 18:11

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori