Kina dërgon 30 aeroplanë luftarakë në zonën ajrore të Tajvanit

Tajvani ka thënë se ka aktivizuar aeroplanët luftarakë si shenjë paralajmërimi për 30 aeroplanë luftarakë që ka dërguar Kina në zonën ajrore të mbrojtjes së këtij vendi.

Ky njëherësh shënon inkursionin më të madh prej muajit janar.

Për këto zhvillime është raportuar pasi presidenti amerikan, Joe Biden, ka paralajmëruar Kinën kundër pushtimit të Tajvanit.

Kina ka shpeshtuar veprime të tilla në muajt e fundit, duke thënë se po kryen stërvitje ushtarake.

Mirëpo veprime të tilla kanë zemëruar Tajvanin dhe kanë rritur tensionet në rajon.

Kina e sheh Tajvanin si provincë të shkëputur, të cilën mund ta marrë edhe me forcë nëse është e nevojshme.

Analistët kanë thënë më parë se inkursione të tilla janë paralajmërim që Qeveria e Tajvanit të mos marrë hapa drejt shpalljes zyrtare të pavarësisë.

Raportet mes Kinës dhe Tajvanit

-Pse Kina dhe Tajvani kanë marrëdhënie të tensionuara? Kina dhe Tajvani janë ndarë gjatë luftës civile më 1940, mirëpo Pekini insiston se ishulli do t’i kthehet dikur, qoftë edhe me forcë.
-Si qeveriset Tajvani? Ky ishull ka kushtetutën e vet, liderët e zgjedhur në mënyrë demokratike, dhe rreth 300,000 trupa aktive ushtarake në mesin e forcave të armatosura.
-Kush e njeh Tajvanin? Vetëm pak shtete. Shtetet e Bashkuara nuk kanë lidhje zyrtare me Tajvanin, mirëpo kanë një ligj që parasheh dërgimin e mjeteve që i duhen ishullit për ta mbrojtur veten./REL


Shtuar 31.05.2022 09:46