Dashuria në rrjetet “merr në qafë” 60 vjeçaren, si i vodhi 200 mijë euro “ushtari”

Një 60-vjeçare nga Milano, e quajtur Sylvie, e cila është zhytur në borxhe dhe ka humbur 200 mijë euro pasi ra në dashuri me një “ushtar amerikan” në rrjetet sociale.

Gjithçka për Sylvie nisi kur mori një mesazh në Messenger nga një i huaj i quajtur Eric, i cili pretendonte se ishte një ushtar amerikan që shërbente në Siri.

“Nuk u përgjigja menjëherë, sepse nuk e njihja. Rreth dy muaj më vonë rihapa bisedën në Facebook dhe ai mesazh ishte ende aty.

E shtyrë nga kurioziteti, iu përgjigja. Ai më shkroi dhe tha se ndodhej në Idlib, një nga zonat më të rrezikshme në Siri. Lidhja jonë nisi të bëhej më e fortë, pasi më tha se ishte fëmijë jetim, i birësuar nga një familje dhe i vetëm në botë.

Më shpjegoi se ishte lodhur duke punuar në Siri, donte të largohej dhe të takonte një grua me të cilën të kalonte pjesën tjetër të jetës”, rrëfen 60-vjeçarja italiane.

Sipas Sylvie, profili i Eric dukej i vërtetë pasi kishte foto me uniformë dhe të tjera gjatë aktiviteteve të përditshme. Kjo e shtyu të moshuarën italiane që të krijonte besim të verbër te “ushtari amerikan” dhe të binte në dashuri me të.

“Ai i kuptonte ndjenjat e mia, disponimin tim. Ai kishte të njëjtat pasione si unë, të njëjtat ide. U krijua një harmoni midis nesh që nuk më kishte ndodhur kurrë me burra të tjerë. Më bëri të ndihem mirë”, shprehet Sylvie.

Varësia emocionale që krijoi, e shtyu 60-vjeçaren që t’i besonte mashtruesve që fshiheshin pas profilit të Eric, të cilët e kuptuan se ajo kishte rënë në rrjetë dhe nisën ti kërkojnë para.

“Eric më tha se i është kërkuar të marrë pjesë në një mision veçanërisht të rrezikshëm. Ai ishte i frikësuar dhe dëshironte të ikte nga Siria. Kishte nevojë për ndihmën time.

Ai më tha se pas një përleshje me rebelët e ISIS-it, kishte gjetur një valixhe plot me dollarë në një kamion të braktisur. Më tha se arriti ta çonte atë në Stamboll dhe e ka fshehur në një magazinë të Kombeve të Bashkuara.

Duhet ta marrim se me të gjithë ato para mund të bëjmë një jetë të lumtur së bashku, më thoshte. Unë u hipnotizova dhe besova gjithçka që ai më thoshte”, zbulon Sylvie.

Pas këtij komunikimi nisën nga ana e 60-vjeçares pagesat për të bërë të mundur nxjerrjen e valixhes nga magazina e OKB, duke nisur fillimisht në drejtim të mashtruesve 4700 euro.

“Në zemrën time e dija se diçka nuk shkonte, por Eric ishte shumë bindës”, thotë ajo.

Që nga ai moment ajo ka dërguar vazhdimisht para për lëshimin e certifikatave të ndryshme të nevojshme për zhbllokimin e valixhes, për dokumente të antiterrorizmit, apo vërtetime për të mos lejuar hapjen dhe kontrollimin e saj.

“Për çdo transfertë të kryer, më lëshohej një faturë e rregullt dhe më dërgohej vërtetimi për të cilin kisha paguar, në mënyrë që të besoja se gjithçka ishte e vërtetë. Isha mes dy zjarreve, nga njëra anë Eriku më lutej që ta ndihmoja dhe nga ana tjetër drejtuesit e kësaj kompanie që kërkonin vazhdimisht para”, rrëfen Sylvie.

Pas 200 mijë eurove pagesa, valixhja mbërriti në Itali dhe Sylvie kërkoi ta merrte.

“Më lanë një takim në stacionin e Aversas. Këtu dy zezakë më treguan një valixhe plot dollarë. Megjithatë, kishte një problem pasi të gjitha kartëmonedhat kishin një vulë të Kombeve të Bashkuara.

Më thanë që lëngu për të hequr vulën kushton shumë dhe më kërkuan lekët për ta blerë. Më thanë se do t’i pastronin të gjitha kartëmonedhat dhe më pas do t’i dorëzonin në shtëpinë time.”

Pasi hëngri karremin me dy kartëmonedha që ia pranuan në bankë, Sylvie nis të paguajë për lëngun që do të pastronte të gjitha kartëmonedhat.

“Më bënë të bëj një porosi në një kompani austriake. Më erdhi fatura, por për një arsye apo një tjetër lëngu nuk erdhi dhe dhashë akoma më shumë para.”

Më pas mashtruesit e bënë 60-vjeçaren të besonte se ishte e nevojshme të blihej makina për të pastruar kartëmonedhat dhe këtu ajo shpërndau mijëra euro cash.

“Fakti është se këta njerëz kishin filluar të më ngjallnin edhe frikën se nëse policia e gjente valixhen, mund të futesha në telashe, pasi emri im ishte në të gjitha dokumentet e transportit, pa harrruar shpenzimet se kam marrë edhe dy kredi.”

Sylvie e dëshpëruar dhe pa para gjen gjatë kërkimit në rrjetet sociale ushtarin e vërtetë amerikan që jeton në SHBA dhe fotot e të cilit janë të njëjta me Erikun e rremë.

Përgjigjia e tij ishte shokuese, pasi i tregon se fotot i janë vjedhur nga një bandë mashtruesish online. Ajo përfundoi në duart e një bande kriminelësh të përkushtuar ndaj mashtrimeve që lidhen me marrëdhëniet romantike.

“Më morën mendjen, më trembën dhe vazhdojnë të më kërcënojnë edhe sot e kësaj dite. Kam humbur 200 mijë euro dhe për të shlyer borxhet më është dashur të nxjerr shtëpinë në shitje”, tregon 60-vjeçarja.