"Iku në lule të rinisë", kolegu kujton infermierin që humbi jetën në aksidentin tragjik (FOTO LAJM)

Kolegu i infermierit, Klement Basha, i cili humbi jetën ditën e djeshme në një aksident rrugor, ka thënë për emisionin “Shqipëria Live” se “nuk e besonin se ai kishte vdekur”.

“U tronditëm të gjithë. Në moment lë kolegen në punë dhe shkoj në vendin e ngjarjes dhe shoh se ishte Klementi. Nuk u besoja syve. Ça të shikoja. Mendova për familjarët që nuk dinin gjë dhe pastaj shkova te familja e tij”, tha kolegu i të ndjerit.

Sipas tij, rruga ku ka humbur jetën 25-vjeçari ishte shumë e ngrirë, e madje edhe ai kishte rrëshqitur pak.

“Ishte një rrugë shumë e ngrirë, edhe unë rrëshqita pak. Klementi e bënte çdo ditë atë rrugë. Policia nuk linte njeri që të afrohej, unë pashë vetëm nga xhami. Kishte shkuar urgjenca para meje dhe kishin konfirmuar se kishte ndërruar jetë në moment”, shtoi kolegu.

Ai u shpreh se “Klementi ishte një djalë shumë i mirë, shumë i veçantë. E donte punën, punonte me pasion. Të gjithë nuk e besojmë se iku papritur në lule të rinisë. Ishim të gjithë krenarë për të”.

Kujtojmë se 25-vjeçari po udhëdonte me makinën e tij në aksin rrugor Fier-Patos në vendin e quajtur “Portez”, ku është përplasur me një kamion të tonazhit të rëndë.

Shoferi i kamionit është shoqëruar në komisariatin e Fierit. Ndërkohë Basha ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, trupi i të cilit kishte mbetur brenda në makinë. Është dashur ndërhyrja e zjarrfikësve që ta nxirrnin nga aty dhe ta dërgonin në morgun e Fierit.
Shtuar më 28/01/2021, ora 13:58

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori