Misteri me vajzën nga Kenia që po lufton për jetën te spitali Traumës, reagon policia e Tiranës

Policia e Tiranës ka reaguar sot për rastin e 22-vjeçares nga Kenia, që u bë mediatik një ditë më parë.

Policia thotë se në përfundim të veprimeve të para hetimore për këtë rast janë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, e cila ka regjistruar procedimin penal, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”.

Kujtojmë se 22-vjeçarja nga Kenia ishte zhdukur më datë 14 gusht. Ka qenë shoqja e saj gjithashtu nga Kenia që ka denoncuar zhdukjen e 22-vjeçares me iniciale J.A.

22-vjeçarja u gjet më pa ndjenja në afërsi të banesës së saj në rrugën “Pandeli Evangjeli” në Tiranë.

E reja ndodhet aktualisht në gjendje të rëndë shëndetësore në spitalin e Traumës në Tiranë. Sakaq rrethanat e zhdukjes dhe gjetjes së 22-vjeçares mbeten  misterioze, ndërsa ka dyshime se e reja nga Kenia mund të jetë dhunuar.

Nëna e 22-vjeçares ka thënë se nuk dyshon për aksident, e as për vetëvrasje. Ajo është shprehur e bindur se dikush ka tentuar ta vrasë atë në shtëpi. E ëma pretendon se 22-vjeçaren e kanë hedhur nga ballkoni.

Sqarim i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranw

Më datë 14.08.2022, një shtetase nga Kenia ka bërë denoncim për humbjen e kontakteve me shoqen e saj, shtetasen J. A., 22 vjeçe, nga Kenia, banuese në një banesë me qira, në rrugën “Pandeli Evangjeli”, e cila më pas u gjet pa ndjenja, në afërsi të banesës së saj.

Në lidhje me këtë rast sqarojmë se Komisariati i Policisë Nr. 1 ka vlerësuar denoncimin e bërë dhe ka reaguar në kohë. Në përfundim të veprimeve të para hetimore për këtë rast janë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, e cila ka regjistruar procedimin penal, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”.

Gjithashtu, sqarojmë se strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Nr. 1 Tiranë kanë kryer të gjitha veprimet hetimore të deleguara nga Prokuroria, për sqarimin e rrethanave të këtij rasti.


Shtuar 9.11.2022 12:19