Letonia mbyll kufirin për rusët

Letonia njoftoi se ka mbyllur kufirin për qytetarët rusë, në kohën kur vendi i tyre po përballet me një rebelim të armatosur kundër regjimit.

Presidenti i zgjedhur letonez, Edgars Rinkevics, tha se vendi i tij nuk do të pranojë rusë.

“Letonia po ndjek nga afër situatën në zhvillim në Rusi… Siguria kufitare është forcuar, viza ose hyrje për rusët që largohen nga Rusia për shkak të ngjarjeve aktuale, nuk do të merren parasysh”, shkroi Rinkevics në Twitter.

“Letonia nuk do të lëshojë viza humanitare apo lloje të tjera”, shtoi presidenti i zgjedhur, i cili është ende ministër i Jashtëm.

Ai po ashtu tha se nuk ka ndonjë “kërcënim të drejtpërdrejtë për Letoninë në këtë moment”.

Për shkak të pushtimit të Ukrainës nga Rusia, Letonia, vitin e kaluar, ka ndaluar lëshimin e vizave të reja për qytetarët rusë, por ka bërë përjashtime për vizat humanitare.

Është e paqartë nëse vizat e lëshuara deri më tani, do të mbeten të vlefshme për hyrje.

Situata në Rusi u tensionua të premten mbrëma, kur Yevgeny Prigozhin, udhëheqës i grupit mercenar rus, Wagner, bëri thirrje për rebelim kundër ushtrisë ruse.

Ai e akuzoi atë për sulme kundër forcave të tij në Ukrainë, edhe pse Moska e mohoi një gjë të tillë.

Wagner tha të shtunën se ka marrë nën kontroll qytetin rus, Rostov-on-Don, pranë kufirit me Ukrainën.

Presidenti rus, Vladimir Putin, u zotua se do ta ndëshkojë këtë rebelim, ndërkohë që Kremlini urdhëroi arrestimin e Prigozhinit.


Shtuar 24.06.2023 18:49