Vidhte kabujt elektrikë dhe linte qytetin në “terr”, arrestohet 34-vjeçari në Durrës (VIDEO)

Një 34-vjeçar ka rënë pranga e policisë së Durrësit pasi është kapur duke vjedhur kabujt elektrikë duke shkaktuar shqrtësim te qytetarët.

Shtetasi me iniciale E.R i këpuste kabujt për t’i shitur ndërsa linte rrugët pa drita.

Denoncime për personin janë bërë nga Bashkia si edhe banorët e zonës.

Njoftimi i policisë:

Durrës

Vidhte kabujt elektrikë të ndriçimit të qytetit, duke krijuar shqetësim për qytetarët dhe pushuesit, identifikohet, kapet dhe vihet në pranga 34-vjeçari.

Sekuestrohen qindra metra kabuj elektrikë të ndriçimit të rrugëve të qytetit të Durrësit.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Durrës, nisur nga denoncimet e bëra nga Bashkia Durrës dhe nga shqetësimet e qytetarëve, të adresuara në Policinë e Durrësit, se një shtetas këpuste kabujt e furnizimit me energji elektrike, me qëllim vjedhjen e tyre, duke lënë për pasojë, në errësirë, rrugët e qytetit të Durrësit, menjëherë kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorit.

Pas disa ditësh hetime dhe ndjekjeje u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:

-E. R., 34 vjeç, banues në Durrës.

Gjithashtu shërbimet e Policisë i gjetën dhe i sekuestruan këtij shtetasi, në cilësinë e provës materiale, rreth 350 metra kabuj elektrikë që i kishte këputur dhe vjedhur nga shtyllat e ndriçimit të rrugëve të qytetit të Durrësi.

Në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, vijon puna për dokumentimin e plotë të vjedhjeve të tjera të kryera nga ky shtetas.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./albeu.com