I shpëtoi helmimit, ish-kundërshtari i Putin pritet nga Policia në Moskë
Lideri opozitar rus, Aleksei Navalny është nisur nga Gjermania drejt Rusisë, ku ai mund të përballet me arrestim.

“Unë, të arrestohem? Unë jam i pafajshëm”, tha Navalny për gazetarët para se të hipte në avionin e Pobedas, që është në pronësi të kompanisë shtetërore, Aeroflot.

Ndërkaq, në Moskë, dhjetëra persona janë arrestuar, teksa po prisnin Navalnyn në aeroportin Vnukov të Moskës. Në mesin e të arrestuarve është edhe Lyubov Sobol, avokat në Fondacionin Anti-korrupsion të Navalnyt; Ruslan Shaveddinov menaxher projektesh në këtë fondacion dhe gazetari i Novaya Gazeta, Vlad Dokshin. Raportohet se në mesin e të arrestuarve ka edhe gazetarë të tjerë.

Më 13 janar Navalny njoftoi se do të kthehej në Rusi, pavarësisht paralajmërimeve nga Shërbimi Korrektues Federal se do ta arrestojnë atë.

Muajin e kaluar, ky shërbim kërkoi që Navalny të rikthehej menjëherë nga Gjermania ose do të përballej me burgim në Rusi, pasi thanë se Navalny ka shkelur kushtet e dënimit me kusht, lidhur me një dënim më 2014 për mashtrime.

Navalny është njëri nga kritikët më të zëshëm të presidentit rus, Vladimir Putin.

Pasi u ulë në ulësen e tij në aeroplan, Navalny tha se është i lumtur që po kthehet në shtëpi.

“Ky është momenti më i mirë në këto pesë muajt e fundit. Ndihem mirë, më në fund po kthehem në qytetin tim”.

I pyetur nëse mendon se autoritetet ruse do ta arrestojnë, ai tha se është i pafajshëm. “Pse të frikësohem? Çfarë e keqe mund të më ndodh mua në Rusi. Besoj se ndihem si çdo qytetarë i Rusisë që ka të drejtë të kthehet në shtëpi”, tha ai. Sipas dokumenteve të një gjykate ruse, Navalny mund të përballet deri me tre vjet burgim. Navalny në këtë fluturim është shoqëruar nga gruaja e tij Yulia dhe nga zëdhënësja e tij. Navalny qëndroi gjashtë muaj në Gjermani ku mori trajtim mjekësor pasi u helmua. Ai ka fajësuar autoritetet ruse për helmimin. Në gusht, ai u sëmurë teksa po udhëtonte nga qyteti Tomsk për në Moskë. Navalny thuhet se është helmuar me agjentin nervor, Noviçok. Mbështetësit e tij thanë se do ta presin Navalnyn në aeroportin Vnukovo të Moskës, pavarësisht se temperatura në Moskë në kohën e arritjes së Navalnyt do të jetë -20 gradë Celsius dhe pavarësisht se Rusia po përballet me shifra të larta të rasteve me koronavirus. Deri më tani, 2,000 persona në rrjetin social Facebook kanë thënë se do të dalin që ta presin Navalnyn.

Zyra e Prokurorit të Moskës ka paralajmëruar se ky tubim është joligjor dhe ka paralajmëruar mbështetësit e Navalnyt që të mos dalin në aeroport, ose në të kundërtën ata mund të arrestohen ose gjobiten.

Agjencia Reuters raporton se në aeroportin Vnukovo të Moskës ka prezencë të shtuar të forcave policore.

Navalny, i cili pret që të ketë sukses në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në shtator, po ashtu mund të përballet edhe me tri procese gjyqësore, të cilat, sipas tij, janë të motivuara politikisht. /Rel/

Shtuar më 17/01/2021, ora 18:26

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori