I ofroi 4 qese me "të bardhë" policit zviceran, prokuroria kërkon ndërprerjen e mandatit të këshilltarit socialist
Prokuroria e Përgjithshme i ka kërkuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që të ndërpresin mandatin e këshilltarit socialist Mirush Dema në Bashkinë e Kamzës.

Ky i fundit ka deklaruar në formularin e dekriminalizimit, një ndalim për verifikim në Gjenevë, dhe dëbim në Suedi e në vendet e BE-së deri në tetor 2019.

28 vjeçari ka deklaruar edhe ndërrimin e mbiemrit pas martese, nga Troci në Dema, por ka fshehur disa të dhëna interesante.

Sipas vendimit të Prokurorit të Përgjithshëm Adnan Xholi, Mirush Dema ka fshehur dy dënime në Zvicër. Në dokument thuhet se në dhjetor të vitit 2014, këshilltari i bashkisë Kamëz, i ka ofruar 4 qese heroinë për t’ia shitur një polici të infiltruar për 400 euro.

Ai është takuar me policin siç kishin rënë dakord, por shitja nuk është bërë, pasi Mirush Dema ka hequr dorë sepse ka kuptuar që po fliste me një polic.

Për këtë vepër ai është dënuar, por dënimi i është konvertuar në gjobë.

Po në Gjenevë, Dema është dënuar dhe për dhunim banese, pasi ka hyrë pa leje në një bodrum.

KQZ do të mblidhet të mërkurën për mandatin e këshilltarit socialist të Kamzës.


Shtuar më 10/02/2020, ora 16:59

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori