I moshuari nga Durrësi mbyll paratë në bankë, ata nuk ia kthejnë më
Shyqyri Ismaili nga Durrësi tregon në “Stop” se në vitin 2000 futi pak në bankë kursimet e një jete për ditë të vështira.

Për shkak të shumë fatkeqësive që i ranë mbi shpinë, librezën e kursimit e gjeti vetëm në vitin 2017.

Në këtë kohë banka ishte privatizuar dhe kishte marrë emrin BKT. Në degën tek sheshi “Avni Rustemi” i thanë se nuk është në sistem dhe dokumentet digjen çdo 10 vjet.

Në zonën “Qemal Stafa” i thanë se i djegin dokumentet çdo 7 vjet, ndërsa në Durrës i thanë se i djegin çdo 4 vjet. Sot në pleqëri, Shyqyri Ismaili endet për 6 milionë e gjysmë lekë të depozituara plot 18 vjet më parë.

“Kisha disa lekë. I kisha kursyer të gjithë jetën dhe në vitin 2000 isha me shërbim me makinë aty se kam punuar të gjithë jetën shofer dhe i futa në bankë tek porti, tek BKT që është sot. Atëherë ishte shtetërore banka.

Pastaj në vitin 2001 u privatizua banka, unë kisha një fatkeqësi në familje se më vdiq çuni aksidentalisht edhe e kam gjet librezën në Shkurt të vitit 2017.

Mora librezën dhe shkoj tek banka, këtu tek BKT tek ‘Avni Rustemi’ dhe i them kështu, kështu. Më thotë se nuk je në sistem. Ku i ke derdhur lekët? Në Durrës, tek BKT në Durrës, ku është sot BKT në Durrës.

Si përfundim më tha dokumentet ne i djegim çdo 10 vjet. Shkova tek banka prapë tek stadiumi ‘Qemal Stafa’, më thotë ajo ne i djegim çdo 7 vjet.

Shkoj në Durrës dhe më thanë ne i djegim dokumentet çdo 4 vjet dhe më akuzoi me pa të drejtë se i ke marrë lekët me dublikatë. Kur unë skam tërheq fare.

Libreza është e pastër. Kështu që unë s’kisha pse të shkoja bankë në bankë të kërkoja borxh. Unë kërkoj lekët e mija. Shuma është 6 milionë e 500 mijë lekë.

Unë i futa edhe për tu shtuar edhe për tu ruajt. Unë jam i gatshëm, nëse kam firmosur diku, të më vendosin hekurat dhe të më çojnë brenda. Ta provojmë burgun në pleqëri tani që jam sëmur. Nuk kam derë ku të shkoj, e kujt t’i qahem”, tha Shyqyri Ismaili.

Kamera e fshehtë:

Denoncuesi: Kam këtë librezën, që kam derdh lekët! Tashi, ku kanë shku këto parët e mia, nuk e marr vesh. Ene ku të shkoj ma unë, ku të mytem tashi, se kjo është, se unë kam kursyer një jetë. Ene i rujta për ditë pleqnie.

Punonjësja BKT: Në këtë llogari?

Denoncuesi: Po!

Punonjësja BKT: Shyqyri Ismaili!

Denoncuesi: Po, po!

Denoncuesi: Se unë në fund të fundit kam librezën, du paret!

Punonjësja BKT: Nuk më del fare emri yt mu këtu.

Denoncuesi: Në sistem?

Punonjësja BKT: Po!

Banka në 2001-shin ka kaluar private dhe nëqoftëse, kjo është e mbartur në 2001-shin, ekziston. Nëqoftëse nuk është e mbartur…

Denoncuesi: Ku ta gjej? Këtë du!

Punonjësja BKT: Nuk kemi, sesi ta gjejmë. Mund të kesh ardhur në 2001-shin, mund t’i kesh tërhequr.

Denoncuesi: Po mirë, ku është firma ime?

Punonjësja BKT: Nuk e kam pra! Nga 2000 deri ne 2001 nuk janë. Nga 2001 e këtej, janë.

Denoncuesi: Po ku t’i gjej?

Punonjësja BKT: Nuk ke, ku t’i gjesh!

Denoncuesi: Shif arshivën?

Punonjësja BKT: Tashi, ti ke ardhur, ke pyetu këtu, ke ardhur disa herë. E njejta përgjigje është, që këtu nuk ka më. Kështuqë, ke ne…

Denoncuesi: Po ku të shkoj?

Punonjësja BKT: Nuk e di! Këtë mbaje te dora! S’kemi, ca të themi, këtu nuk ke gjëndje.

Punonjësja BKT: Mbase i ke tërhequr?

Denoncuesi: Mossss reee…, më jep një firmë timen!

Punonjësja BKT: Nuk mbahen aq gjatë letrat e bankës. Ne i djegim një herë në 4 vjet me urdhër të Bankës së Shqipërisë.

I pyetur për këtë eksperti Besart Kadia, shpjegon, se nuk ka argument ligjor për humbjen e parave. Kjo nuk justifikohet as me falimentimin e bankës.

Besart Kadia: Sistemi bankar është ndër industritë më të rregulluara në Republikën e Shqipërisë, çka do të thotë se nga ana ligjore është i mbikëqyrur nga Banka Qendrore dhe nga rregullatorët edhe të BE.

Është një industri e kopsitur pikërisht për të mos pasur këto lloj problemesh…Ky është një rast i cili është i padëgjuar më përpara, pasi bankat e nivelit të dytë, e vetmja gjë që mund të bëjnë është që kur një klient nuk përdor për një periudhë të caktuar depozitën e tij, ose llogaritë rrjedhëse të tij, ajo çaktivizohet dhe gjithësesei kur klienti rikthehet tek banka dhe thotë që dua ta aktivizoj sërish llogarinë time bankare, banka i ka të gjitha të dhënat dhe e aktivizon në çast dhe asnjëherë nuk humbasin paratë.

Pra, çdo lloj marrëveshje apo depozitimi në vitin 2000, apo 2005 nuk ka rëndësi koha, paratë mbeten të përjetshme të klientit dhe nuk ka asnjë argument ligjor ku mund të thuhet që janë prishur arkivat apo nuk po gjejmë dot të dhënat.

Kadia thotë se këto të dhëna janë aq të sigurta, sa që edhe kur falimenton vetë banka, sërish deri në 2.5 milionë lekë të reja, janë të siguruara nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave. /tvklan/
Shtuar më 16/11/2018, ora 15:52

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori