I morën jetën teknikut të kondicionerit, pse u vetëdorëzuan dy vëllezërit?
Albano Kusi, njëri nga dy vëllezërit e akuzuar për vrasjen e teknikut të kondicionerëve Indrit Çelaj në gusht të këtij viti në Tiranë është vetëdorëzuar në polici. Vëllai tjetër, Griseldo Kusi, që gjithashtu ishte në kërkim, u vetëdorëzua disa javë më parë.

Pas gati 4 muajsh në kërkim Albano Kusi vetëdorëzohet në policinë e Tiranës. 28-vjeçari ishte shpallur në kërkim për vrasjen e teknikut të kondicionerit në Tiranë, Indrit Çelaj.

Të martën do të zhvillohet seanca gjyqësore për rivlerësim të masës së sigurisë dhënë më herët ndaj Albano Kusit, e cila ishte “arrest në burg” në mungesë.

Më herët të njëjtën rrugë, kishte zgjedhur edhe vëllai i madh i Albanos, Griseldo Kusi. Ai u dorëzua me 12 nëntor dhe akuzohet gjithashtu për vrasjen e Çelaj, ngjarje kjo e ndodhur mesditën e 22 gusht të këtij viti, në vilën e cila është në pronësi të Bujar Kusit.

Policia thekson se, dorëzimet e dy vëllezërve kanë ardhur si pasojë e kontrolleve të pandërprera, por, fakt është se, aksionet e uniformave blu kanë dështuar të paktën 13 herë për prangosjen e tyre.

Edhe në të kaluarën Griseldo dhe Albano, kanë pasur probleme me drejtësinë por që kanë mundur t’ia hedhin paq.

Për vrasjen e teknikut të Kondicionerëve po hetohen edhe Edmond Sula, Ferdinand Bakalli dhe Luan Çaka që akuzohen për “Moskallëzim krimi” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”
Shtuar më 15/12/2019, ora 18:52

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori