Vritet kandidati për president në Ekuador, u qëllua me armë zjarri në mitingun elektoral

Një nga kandidatët për zgjedhjet e ardhshme presidenciale në Ekuador është qëlluar për vdekje në një miting elektoral.

Fernando Villavicencio, anëtar i asamblesë kombëtare të Ekuadorit, u sulmua teksa po largohej nga eventi në qytetin verior të Kuitos të mërkurën.

Ai ishte duke hipur në makinë në momentin që një burrë i doli para dhe e qëlloi në kokë.

Presidenti aktual i Ekuadorit, Guillermo Lasso u zotua se “krimi nuk do të mbetet i pandëshkuar”.

Autori i dyshuar u qëllua gjithashtu në një shkëmbim plumbash me sigurinë e kandidatit për president, dhe vdiq nga plagët e marra.

Nga shkëmbimi i zjarrit kanë pësuar lëndime  9 persona, mes tyre një kandidat për asamble dhe dy policë.

Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale në Ekuador është planifikuar të mbahet më 20 gusht.

Një rritje e kohëve të fundit e krimit të dhunshëm, e nxitur nga prania në rritje e karteleve të drogës në Ekuador, ka qenë një çështje qendrore në fushatën presidenciale të këtij viti.

Muajin e kaluar, Lasso shpalli gjendje të jashtëzakonshme dhe shtetrrethim natën në tre provinca pas një numri vrasjesh të lidhura me krimin e organizuar.

Përveç sigurisë, fushata e zotit Villavicencio ishte përqendruar në trajtimin e korrupsionit, një temë që ai e kishte mbuluar në një karrierë të mëparshme si gazetar, dhe reduktimin e shkatërrimit të mjedisit.

Javën e kaluar, ai tha se ai dhe ekipi i tij ishin kërcënuar nga kreu i një bande të lidhur me trafikun e drogës.

Villavicencio, i cili ishte i martuar dhe kishte pesë fëmijë, ishte një nga tetë kandidatët në raundin e parë të zgjedhjeve, edhe pse jo kryesuesi.

Vrasja e tij pason atë të Agustín Intriago, kryebashkiak i qytetit Manta, në korrik dhe Omar Menéndez, kandidat për kryetar bashkie në qytetin e Puerto López, në shkurt./albeu.com