Iu gjetën 14.400 euro dhe 1 165 000 lekë të padeklaruara në automjet, nisin hetimet për 49-vjeçarin

Kakavijë / Vijon puna për goditjen e paligjshmërive dhe përballimin e fluksit në hyrje–dalje.

✅Hyri në kufi në mënyrë të paligjshme, kundërshtoi punonjësit e Policisë Kufitare dhe u rrezikoi jetën duke u larguar me shpejtësi me motomjet, vihet në pranga 57-vjeçari.

✅Po nga Policia Kufitare u godit edhe një rast i mosdeklarimit të të hollave në kufi, ku u sekuestruan 14.400 euro dhe 1 165 000 lekë dhe u procedua penalisht 49-vjeçari.

Shërbimet e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Gjirokastër, arrestuan në flagrancë shtetasin Th. K., 57-vjeç, rezident në Greqi, për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Trafikimi i mjeteve motorike” dhe “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.

Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi, më datë 20.08.2022, ka hyrë në RSH në mënyrë të paligjshme, nga kufiri i gjelbër në PKK Kakavijë. 57-vjeçari, i cili ishte duke drejtuar motomjetin tip “Kawasaki”, është konstatuar nga punonjësit e Policisë Kufitare, të cilët i kanë komunikuar se do të shoqërohej për veprime të mëtejshme procedurale. Shtetasi Th. K., ka kundështuar punonjësit e Policisë dhe është larguar me shpejtësi me motomjet duke rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë, njëri prej të cilëve ka marrë dëmtime të lehta.

Menjëherë nga shërbimet e DVKM Gjirokastër është bërë e mundur kapja dhe neutralizimi i 57-vjeçarit, i cili nuk ka pasur as dokumentacionin e nevojshëm, për drejtim të motomjetit.

—-

Shërbimet e Policisë Kufitare në Kakavijë, krahas masave të ndërmarra për menaxhimin e fluksit të shtuar të levizjes gjatë sezonit turistik, kanë intensifikuar kontrollet për goditjen e paligjshmërive.

Bazuar në analizën e riskut dhe në kontrollet me përzgjedhje, në dalje të RSH-së, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm, automjetin tip “Fiat”, me drejtues shtetasin B. Z.

Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e shtetasit B. Z., shërbimet e Policisë Kufitare gjetën dhe sekuestruan 14.400 euro dhe 1 165 000 lekë, të cilat ky shtetas nuk i kishte deklaruar sipas përcaktimeve ligjore në fuqi.

Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Gjirokastër referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin B. Z., 49 vjeç, rezident në Athinë, Greqi, për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.


Shtuar 21.08.2022 12:10