Të dhënat alarmante: Mbi 1600 gazetarë të vrarë në 20 vjet, Rusia mban vendin e parë në Evropë

Rusia renditet e para në Evropë për sa i përket numrit të gazetarëve të vrarë gjatë kryerjes së detyrës ose për shkak të aktivitetit të tyre profesional, thekson një raport i organizatës ndërkombëtare Reporterët pa Kufi.

Siç theksohet në raport, sulmet sistematike ndaj lirisë së shtypit në Rusi janë intensifikuar që nga viti 2001, viktima të dhunës në këtë vend kanë qenë 37 punonjës të medias, përfshirë Anna Politkovskaya e cila u vra më 7 tetor 2006.

Organizata e konsideron luftën në Ukrainë si një nga shkaqet e numrit të madh të viktimave mes gazetarëve në Ukrainë.

Në dy dekadat e fundit, 20 punonjës të medias janë vrarë, duke përfshirë tetë që nga fillimi i pushtimit rus.

Iraku është “udhëheqësi” botëror në vrasjen e gazetarëve.

Në total, 1657 gazetarë u vranë në mbarë botën në 20 vitet e fundit, të cilët ishin viktima të atentateve, vrasjeve me porosi, sulmeve në zona konflikti ose vdiqën pas lëndimeve të rënda.

Iraku renditet i pari për sa i përket numrit të gazetarëve të vrarë (300 gazetarë). Siria është e dyta me 280 gazetarë, e ndjekur nga Afganistani, Jemeni, Palestina dhe Somalia.

Sipas të dhënave të organizatës, më së shumti vdekje të punonjësve të medias janë regjistruar në vitin 2012 (143). Aktivistët e të drejtave të njeriut ia atribuojnë këtë luftës civile në Siri. Pas vitit 2012, numri i viktimave te gazetarët filloi të zvogëlohej. Në vitin 2021, 51 punonjës të medias vdiqën si pasojë e dhunës. /albeu.com


Shtuar 7.04.2023 19:28