Dy të plagosur me armë zjarri në Tropojë, reagon policia: Po kërkojmë autorin

Policia ka reaguar në lidhje me të shtënat me armë zjarri në Tropojë, ku u plagosën dy persona.

Mësohet se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti për motive të dobëta, teksa autori është shpallur në kërkim.

Të plagosur kanë mbetur shtetasi A.B. dhe shtetasi G.B. i cili po kalonte në rrugë. Ky i fundit është jashtë rrezikut për jetën

Njoftimi:

Plagosi me armë zjarri 2 shtetas (njëri prej tyre kalimtar), pas një konflikti për motive të dobëta, identifikohet dhe shpallet në kërkim autori i dyshuar.

Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika të shumta kontrolli për kapjen e tij.

Rreth orës 20:10, në Bajram Curri, në oborrin e një lokali, dyshohet se pas një konflikti për motive të dobëta, shtetasi B. S., 49 vjeç, ka plagosur me armë zjarri pistoletë, në këmbë, shtetasin A. B.

Si pasojë e të shtënave, është plagosur në këmbë dhe është jashtë rrezikut për jetën, edhe një kalimtar i rastit, shtetasi G. B.

Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të autorit, është rrethuar zona, si dhe vijojnë kontrollet në zonë dhe në ambiente të ndryshme, për të bërë të mundur kapjen e tij.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe ka sekuestruar kamerat e sigurisë dhe çdo provë tjetër që do t’i shërbejë dokumentimit të plotë të ngjarjes.

Vijon puna për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje.


Shtuar 26.06.2023 21:03