Hiqet pezullimi për Universitetin Bedër
Pëlqej
Këshilli i Ministrave vendosi heqjen e masës së pezullimit të përkohshëm për Shkollën e Lartë "Hëna e Plotë" (Bedër). Ky vendim bën të mundur vazhdimin normalisht të procesit akademik në këtë institucion.

Pas një procesi disa javor për plotësimin e sugjerimeve të bëra nga Ministria e Arsimit dhe Sporteve, Bedër përbushi me sukses të gjitha rekomandimet në një kohë të shkurtër.

Në vendimin e miratuar nga Këshilli i Ministrave thuhet se: "Hiqet masa e pezullimit të veprimtarisë për institucionin privat të arsimit të lartë, Shkolla e Lartë Private “Hëna e Plotë” (Bedër). Shkolla e Lartë Private “Hëna e Plotë” (Bedër) të vijojë veprimtarinë akademike, duke respektuar të gjitha të drejtat dhe detyrimet që burojnë nga legjislacioni i arsimit të lartë. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Shkolla e Lartë Private “Hëna e Plotë” (Bedër) për zbatimin e këtij vendimi. Vendimi hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare".

Shkolla e Lartë "Hëna e Plotë" (Bedër) vlerëson dhe mbështet hapin e ndërmarrë nga qeveria shqiptare për përmirësimin dhe zhvillimin e arsimit të lartë në Shqipëri.

Bedër, që nga themelimi i tij, është udhëhequr nga parime të larta profesionale dhe i gjithë aktiviteti i zhvilluar është konform ligjeve dhe rregullave në fuqi.

Vendimi i Këshillit të Ministrave i hap rrugë procesit të regjistrimit për vitin akademik 2014-2015 për të gjithë maturantët që dëshirojnë të studiojnë në një nga programet e studimit që ofron ky institucion.

Gjithashtu Bedër ka marrë të gjithë masat për të administruar sipas të gjitha udhëzimeve të dala nga MAS, procesin e transferimit të studentëve nga institucionet publike dhe private ndaj të cilave është marrë masa e heqjes se licencës. /albeu.com/
Shtuar më 18/09/2014, ora 17:16
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori