Grupet pro-ruse në Ukrainë urdhërohen të hapin zjarr
Trupat ushtarake të Ukrainës janë dërguar për të rimarrë nën kontroll disa pjesë në Ukrainën lindore të pushtuara nga milicia pro-ruse gjatë ditëve të fundit. Trupat e Ukrainës kanë mundur të futen në qendër të Kramatorsk-it.

Tensionet janë rritur që kur presidenti i Rusisë, Putin, e paralajmëroi Ukrainën se “ishte në prag të luftës civile”.

Putin i bëri këto komente në një telefonatë me Kancelaren gjermane, Angela Merkel, pasi presidenti i përkohshëm Oleksander Turchynov njoftoi nisjen e operacionit "anti-terrorist" gjatë ditës së djeshme.

Ndërkohë sot grupet e armatosura pro-ruse në lindje të Ukrainës kanë marrë urdhër për të qëlluar me armë drejt ushtarëve ukrainas, sipas raportimeve të shërbimit ukrainas të sigurisë (SBU).

“Bisedat e regjistruara mes sabotatorëve rusë dëshmojnë se veprimet e sabotazhit në shtetin e Ukrainës janë të drejtuara nga oficerë të inteligjencës ruse të cilët japin urdhëra për të qëlluar me armë në drejtim të ushtarëve ukrainas”, deklaroi shërbimi për shtyp SBU.

Ndërsa Ministri i Jashtëm i Rusisë Sergei Lavrov është shprehur se nesër në Gjenevë do të mbahet takimi mes Rusisë, Ukrainës, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian. Por përdorimi i forcës kundër serperatistëve pro-rusë në Ukrainën Lindore do të mund të rrezikoj bisedimet.

Ndërkohë Parlamenti i Ukrainës po diskuton sot në lidhje me situatën aktuale në Ukrainë, në një seancë me dyer të mbyllura. Ndërsa Këshilli i sigurimit i OKB-së do të takohet sot për të diskutuar në lidhje me të drejtat e njeriut në Ukrainë. /albeu.com/
Shtuar më 16/04/2014, ora 17:05
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori