Goditet grupi i trafikantëve mes Shqipërisë, Belgjikës e jo vetëm: Kapen 10 persona dhe 1 ton kokainë
Policia e Shtetit, Policia belge dhe ajo gjermane kanë finalizuar operacionin "ATOS" i nisur prej vitit 2018 nga strukturat hetimore antidrogë të Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda (në vijim deri në finalizim nga SPAK-u).

Gjatë vitit 2018, antidroga e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Policinë gjermane ka zhvilluar operacionin policor të koduar “Paraguaj”, si rezultat i të cilit është sekuestruar rreth 1 ton kokainë dhe janë vënë në pranga 10 shtetas shqiptarë.

Më pas, operacioni ka vijuar duke u thelluar hetimet, për të identifikuar dhe arrestuar drejtuesit e grupit të strukturuar kriminal që merrej me trafikimin e kokainës nga Amerika Latine në drejtim të Belgjikës, Holandës dhe Gjermanisë.

Si rezultat i hetimeve të përbashkëta u bë i mundur identifikimi i krerëve të këtij grupi dhe në këtë kuadër, prej datës 15 dhjetor deri në datën 21 dhjetor 2020, u organizua dhe finalizua operacioni i përbashkët antidrogë i koduar “ATOS”, në kuadër të të cilit u kapën në Belgjikë dhe u vunë në pranga, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve” kryer në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, shtetasit:

M. Gj., 34 vjeç dhe G. B. alias F. B., 37 vjeç, banues në Tiranë; R. Rr., 27 vjeç dhe F. Rr., 24 vjeç, banues në Nikël, Fushë Krujë; B. P., 29 vjeç, banues në Pukë; F. Xh., 33 vjeç, banues në Laç; K. N. (shtetas lituanez) dhe S. C. (shtetas grek).

Si dhe shtetasi F. Gj., për të cilin, pas arrestimit, Gjykata ka vendosur gjykimin në gjendje të lirë.

Në kuadër të operacionit “ATOS”, në periudha të ndryshme gjatë vitit 2019 dhe vitit 2020 janë sekuestruar nga Policia belge, në bashkëpunim me Policinë shqiptare, rreth 232 kilogramë kokainë, një armë zjarri pistoletë, si dhe rreth 200 mijë euro.

Ky grup kriminal funksiononte duke ngarkuar lëndën narkotike në kontenierët e bananeve nga Amerika Latine, duke e fshehur lëndën narkotike në arkat e bananeve dhe në trupin e kontenierëve.

Pasi kontenierët e pajisur nga trafikantët me GPS mbërrinin në destinacion, trafikantët, për të mos u identifikuar dhe zbuluar, organizonin vjedhje me armë të lëndës narkotike nga magazinat ose dhomat e pjekjes së bananeve.

Shtuar më 21/12/2020, ora 13:59

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori