Fotografimi i votës, Celibashi shkon në Rrogozhinë: Rrezikohet deri në 4 vite burg

Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi ka folur sërish mesditën e sotme mbi procesin e zgjedhjeve në Bashkinë e Rrogozhinës, teksa nuk ka nguruar t’i bëjë thirrje votuesve që të mos joshen nga partitë dhe të fotografojnë votën.

Duke iu referuar një rasti të evidentuar sot, kur një qytetare është kapur nga komisionerët duke fotografuar votën e saj, Celibashi tha se ata që fotografojnë votën rrezikojnë deri në 3 vite burg.

Si po ecën procesi i votimit?

Procesi në përgjithësi ka shkuar mirë. Ka pasur incidente të vogla që janë normale. Krahasuar me 14 majin, procesi është duke u zhvilluar qetë. Ka pasur debate mes komisionerëve, por që nuk kanë krijuar impakt negativ. E rëndësishme të thuhet që nuk ka pasur probleme për përdorimin e pajisjes elektronike identifikuese.

Sa i përket fotografimit të votës, cili është opinioni juaj mbi këtë problematikë?

Fotografimi i votës përbën një shkelje të rëndë të ligjit penal, ka sanksione dënimi që shkojnë deri në 3 vjet. Do të marrim të gjithë informacionin e mundshëm në lidhje me këtë çështje. U bëj thirrje të gjithë votuesve që ti shmangen çdo lloj joshje nga subjektet për tu treguar atyre se për kë kanë votuar. Ata rrezikojnë shumë në këtë rast. Kandidatët të evitojnë deklarimet e tyre me përmbajtje elektorale. Kandidatët nuk kanë asnjë arsye ligjore për të shkuar brenda qendrave të votimit. Aty janë vëzhguesit, është media, janë komisionerët. Votimi familjar gjithashtu përbën shkelje. Ky është një problem, sa të kemi mundësi do ta adresojmë.


Shtuar 23.07.2023 12:26