Veliaj dhe Balluku inspektojnë punimet për linjën e re hekurudhore të trenit elektrik Tiranë – Rinas – Durrës: Histori suksesi

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe zëvendës kryeministrja, Belinda Balluku, inspektuan punimet në kantierin e projektit për ndërtimin e linjës së re hekurudhore Tiranë – Rinas – Durrës, ndërkohë që brenda Tiranës.

Veliaj dhe Balluku ndanë lajmin e mirë se ky projekt pritet të përfundojë në vitin 2024.

“Jemi në Kthesën e Kamzës, ku bashkia dhe ministria ndajnë një pronë, ndajnë dy projekte, por një histori suksesi. Nuk e kisha menduar se do ia mbërrinim kësaj dite, por fakti që çunat kanë bërë një punë të jashtëzakonshme nga Durrësi deri në portat e Tiranës, është vërtet mbresëlënëse. Ne në Tiranë nuk do të vazhdojmë me të pesta këto platforma dhe trase, por vetëm më një trase të trenit elektrik. Do të kemi edhe tre stacione të tjera, te ‘Josif Pashko’, te ‘Jordan Misja’ dhe në fund të Bulevardit të Ri, ose siç quhen ndryshe ‘city stations’. Për të gjithë ata që kanë një shqetësim nëse do të ketë mallra, i siguroj se jo, nuk do të ketë mallra”, sqaroi Veliaj.

Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku tha: “Ky është një tren elektrik, i cili do të ketë një shpejtësi nga kjo pikë deri në Durrës 120 km/h, ndërkohë që nga kjo pikë deri në Tiranë do të variojë nga 50-80 km/h; pra do të jetë me një shpejtësi të moderuar, duke qenë se do të futet brenda në qytet. Duhet pasur parasysh se nuk është Tirana, brenda qytetit, për shkëmbimin e mallrave. Sigurisht, ka platforma të tjera, siç është platforma e Vorës apo edhe vende të tjera, ku do të ketë edhe interseksione me pjesë të tjera të hekurudhës, siç është hekurudha nga Vora deri në Han të Hotit. Kjo hekurudhë është shumë e rëndësishme sepse lidh Tiranën me Durrësin, por jo vetëm me qytetin e Durrësit aty ku do të ndërtohet ballina ujore më e rëndësishme e Ballkanit dhe Porti i Jahteve, por do të lidhë edhe Tiranën me portin e ri të Durrësit të ndërtuar në Porto Romano, përmes nyjes së Sukthit. Kjo është një vepër inxhinierike për t’u krenuar e gjithë Shqipëria. Por, si gjithçka e mirë, nis nga Tirana.”


Shtuar 27.04.2023 14:43