Si mund të përmirësohet shëndeti mendor i të rinjve?

Beograd – Tridhjetë të rinj dhe politikëbërës nga i gjithë Ballkani Perëndimor prezantuan rezultatet dhe rekomandimet që kanë dalë nga përpjekjet e tyre të zellshme për të adresuar shëndetin mendor të të rinjve në vendet e tyre, në Konferencën Përfundimtare për Shëndetin Mendor të të Rinjve, organizuar sot në Beograd nga Projekti i Këshillit për Bashkëpunimin Rajonal, i financuar nga BE, “Laboratori Rinor i Ballkanit Perëndimor” (WBYL).

“Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, gjysma e të gjitha çrregullimeve mendore fillojnë para moshës 14 vjeç, dhe 75% nga mesi i të njëzetave. Në shumicën e rasteve shkaqet pse ndodhin problemet mbeten të panjohura dhe të patrajtuara. Duke ditur se të rinjtë përbëjnë më shumë se 21% të shoqërisë së Ballkanit Perëndimor, ne ndjemë nevojën për të adresuar sfidat që lidhen me shëndetin mendor të të rinjve, duke pranuar rëndësinë e tij dhe ndikimin që ka në shoqëritë tona, por edhe për të dhënë një perspektivë rajonale në përpjekjet për të ofruar zgjidhje. Prandaj, në Dhjetor 2021 nisëm Laboratorin Rinor për Shëndetin Mendor. Tani, pothuajse një vit e gjysmë më vonë, jam i lumtur të them se të rinjtë nga rajoni të mbledhur rreth këtij laboratori politikash kanë dalë me disa rezultate të shkëlqyera, duke krijuar zgjidhje për trajtimin e çështjeve të shëndetit mendor në një mënyrë më sistematike dhe të orientuar”, tha Ognjen Markoviç, Drejtuesi i Ekipit të WBYL në fjalën e tij hyrëse.
Pas krijimit të 13 rekomandimeve rajonale dhe punës së organizuar në kuadër të Grupeve të Punës, përfaqësuesit e secilës ekonomi të Ballkanit Perëndimor prezantuan punën e bërë deri më tani. Në Shqipëri është hartuar Komponenti Rinor i Planit Kombëtar të Veprimit për Shëndetin Mendor 2023 dhe Vlerësimi për shërbimet e shëndetit mendor të të rinjve; në Bosnjë dhe Hercegovinë u krijua Korniza për krijimin dhe zbatimin e aktiviteteve promovuese dhe parandaluese në fushën e shëndetit mendor të dedikuara për të rinjtë e moshës 14 deri në 18 vjeç; Amendamenti i Udhëzimit Administrativ për Shëndetin Mendor është hartuar nga Kosovarët; në Mal të Zi Programi Kombëtar për Shëndetin Mendor të Rinisë dhe Udhëzuesi për Punëtorët e rinj; në Maqedoninë e Veriut është krijuar Strategjia Kombëtare e Shëndetit Mendor për Rininë dhe në Serbi është zhvilluar Grupi Koordinues për Shëndetin Mendor të Rinisë brenda Ministrisë së Shëndetësisë.

“Shëndeti mendor është një aspekt kritik i mirëqenies së përgjithshme të një personi. Ai prek individët, familjet, komunitetet dhe shoqëritë në përgjithësi. Fokusi ynë në adresimin e sfidave të shëndetit mendor me të cilat përballen të rinjtë nuk është thelbësor vetëm për zhvillimin dhe përmbushjen e tyre personale, por edhe për prosperitetin dhe përparimin e rajonit tonë në tërësi. Duke investuar në shëndetin mendor të të rinjve tanë, ne po investojmë në të ardhmen e shoqërive tona”, përfundoi Markoviç.

Konferenca shërbeu si një platformë për ndarjen dhe prezantimin e aktiviteteve të ndryshme të ndërmarra nga Grupet e Punës nga rajoni, si dhe të rezultateve dhe rekomandimeve që kanë dalë nga përpjekjet e tyre të zellshme për të trajtuar shëndetin mendor të të rinjve në ekonomitë e tyre. Krahas z. Markoviç, aktivitetin e hapën z. Martin Klaucke, Shef i Operacioneve – Seksioni II, Delegacioni i Bashkimit Evropian në Serbi, znj. Ivana Antonijević, ndihmës ministre në Ministrinë për Turizmin dhe Rininë në Serbi, Dr. Ledia Lazeri, Këshilltare Rajonale për shëndetin mendor në Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe znj. Andreea Scrioșteanu, anëtare e Bordit të Forumit Rinor Evropian.


Shtuar 21.06.2023 20:02