Gazetari: Daullet gjëmojnë atje ku ka para dhe çahen te fukarenjtë

Pëlqej
Çuditë në Shqipëri janë aq të shpeshta, sa gradualisht po e humbin edhe efektin habitor të tyre, sepse po kthehen në ndodhi të zakonshme të përditshmërisë.

Rasti më i fundit vjen nga bashkia Prrenjas, e cila ka vendosur të organizojë një koncert në malin e Shebenikut, që njëkohësisht është shpallur edhe Park Kombëtar dhe është marrë në mbrojtje nga UNESCO.

Deri këtu nuk ka asgjë të keqe, pasi është për t'u duartrokitur një nismë e Bashkisë për të promovuar zonën dhe për të nxitur zhvillimin e turizmit në Shebenik, që për fat të keq mbetet ende i izoluar dhe pa rrugë.

Por çudia vjen në njoftimin zyrtar të Bashkisë Prrenjas, në llogarinë e saj të Facebook-ut, ku pasi njofton për organizimin madhështor "Këtu gjëmojnë daullet", me praninë e shumë "yjeve" të muzikës popullore, bën edhe një apel për banorët e zonës, që jetojnë në emigrim dhe atyre që kanë biznese të vogla e të mesme.
Atyre u kërkohet drejtpërdrejtë të kontribuojnë me para, pasi bashkia nuk ka fuqi ekonomike për të përballuar këtë koncert, ndonëse ka përgatitur gjithçka deri në detaje.

E bën këtë apel, duke përmendur me emër dhe mbiemër të gjithë ata që konsiderohen si "donatorë potencialë", ndërsa kërkon ndjesë edhe për ndonjë që mund të kenë harruar t'ia shtojnë emrin në listë.

Natyrisht që Prrenjasi është një bashki e vogël, shumë pranë kufirit administrativ me Maqedoninë dhe të mos ketë para për organizime të tilla, nuk është ndonjë çudi.
Por fundja, për çfarë i duhet promovimi një zone ku rruga që të çon atje është katastrofë dhe një udhëtim ditor në parkun e Shebenikut (më gjatë nuk ke ku të rrish) nuk është aspak çlodhës, por rraskapitës?

Për çfarë i duhet promovimi një zone, ku banorët e fshatrave më pranë saj (Bardhaj, Katund Plak, Kovanik, Gjashtëlis, Sutaj, Rrëzë), jetojnë në varfëri ekstreme dhe të paktën 90% e familjeve trajtohen me ndihmë ekonomike nga bashkia Prrenjas?
A nuk do ishte më mirë që bashkia të nxiste rehabilitimin e rrugës që të çon në Parkun KombëtarShebenikut dhe fshatrat përreth tij?

A nuk do ishte më mirë që bashkia të ndihmonte banorët e zonës, që të përfitojnë qoftë edhe nga projekti "100 fshatrat" ku Rrajca bën pjesë, për të zhvilluar sadopak agrikulturën në zonë?
Sigurisht që investimet kërkojnë para dhe bashkia Prrenjas i ka me pikatore ato, por promovimi i një zone kërkon mbi të gjitha ide dhe duket se këto kanë "shteruar" në administratën e zonës.
Them këtë, sepse sot e kësaj dite, në rrugën nacionale Prrenjas-Pogradec, aty ku degëzon edhe rruga për në Parkun KombëtarShebenikut, mungon një tabelë dinjitoze që të tregojë sadopak për këtë perlë mjedisore, që bashkia kërkon ta promovojë me një koncert.

E pra, para se t'i kërkoni para Ramazan Gegës, që për hir të së vërtetës ka dhjetëra fletore me emrat e borxhlinjve, që marrin ushqime falas në ushqimoren e tij, është më mirë t'i luteni një kovaçi apo saldatori, t'ju përgatisë një tabelë të madhe, të denjë për të reklamuar Parkun KombëtarShebenikut.

Dhe pasi të keni sistemuar rrugën, mund t'u kërkoni rrajcarëve të diasporës, por edhe biznesmenëve të zonës, që të kthehen dhe të investojnë me njësi shërbimi, si bare, restorante, hotele, etj. për ta shndërruar Parkun KombëtarShebenikut, në një pikë të rëndësishme turistike, që do të punësonte dhjetëra njerëz dhe do të zhvillonte disa fshatra përreth.

Së në fund të fundit, "Daullet gjëmojnë atje ku ka para dhe çahen te fukarenjtë"....

Shkruan gazetari i Topit, Erjon Halili.

Shtuar më 21/08/2018, ora 23:08
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori