Gabim historik: Mogherini reagon pas vendimit negativ të BE ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë
Federica Mogherini, shefja e Politikës së Jashtme të BE-së ka reaguar pas vendimit negativ të mos hapjes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut duke kritikuar qendrimin e unionit.

Në një shkrim në blogun e saj, Mogherini thekson se sipas saj Këshilli bëri një gabim historik, duke shtuar se ajo shpreson se “mund të ndryshohet sa më shpejt që të jetë e mundur”.

“Unë po shkruaj pas vendimit të vështirë të Këshillit Evropian: krerët e shteteve dhe qeveritë kanë shtyrë vendimin për hapjen e negociatave për pranimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, përkundër përparimit të jashtëzakonshëm të arritur nga të dy vendet dhe kundër këshillave të Komisionit Evropian. Ishte shumë më tepër sesa një mundësi e humbur: është një gabim historik, i cili shpresoj se mund të ndryshohet sa më shpejt që të jetë e mundur. Këshilli gjithashtu ka marrë dy vendime të rëndësishme: miratoi marrëveshjen e re me Londrën për daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian; dhe ajo konfirmoi vendimet që kemi marrë të hënën me Ministrat e Jashtëm për ndërhyrjen ushtarake të Turqisë në Siri”, shkruan Mogherini.

Një javë më parë Këshilli Europian vendosi të mos nisë bisedimet e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Dy ditë disuktimet mes liderëve të BE rezultuan pa sukses për Shqipërinë.

Shtuar më 21/10/2019, ora 11:59
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori