Fyle: Bojkoti s'është rruga e duhur, Rama: Ne jemi në shërbim të opozitës
Pëlqej
Në konferencën e përbashkët për mediat me Komisionerin për Zgjerimin, Stefan Fyle, në përfundim të takimit të nivelit të lartë BE-Shqipëri, Rama shprehu gadishmërinë dhe vullnetin e mazhorancës për të diskutuar me opozitën çdo kërkesë të saj që do ti japë fund përsëritjes me bojkotet parlamentare.

Në fjalën e tij, kryeministri tha se ky takim vlejti për të takuar opozitën, si dhe për të shprehur vendosmërinë për çuarjen përpara të reformave.

“Jemi të vendosur për të realizuar reformat dhe për të çuar përpara reformat e nisura. Jemi shumë të vëmendshëm veçanërisht për gjithëpërfshirje, sepse në kushtet kur vendi angazhohet për reforma reale, ne na takon si shumicë qeverisëse të mos margjinalizojmë opozitën për fajin e qeverisë.

E kemi detyrim ndaj vetes dhe ndaj zgjedhësve, që asgjë që ne kemi provuar në kurriz si pasojë e padrejtësive të ish-Qeverisë, opozita e sotme nuk do e provojë. Faktet flasin për seriozitetin tonë”, u shpreh Rama.

Sa i takon bojkotit që opozita po i bën Parlamentit prej disa muajsh, Rama e konsideroi si pretekst arsyen e këtij vendimi.

“Opozita braktisi Kuvendin me preteksin se dy deputetë të mazhorancës u përplasën fizikisht me një të opozitës. Ne e dënuam aktin e dy deputetëve tanë, u dënuan administrativisht nga Kryesia e Kuvendit, dhe sot si asnjëherë më parë me një akuzë të Prokurorisë do të dalin në gjyq dhe do të mbrojnë veten.

Ne kemi inkurajuar drejtësinë të bëjë drejtësi dhe distancohemi nga çdo veprim që bie ndesh me bashkëjetesën politike jo vetëm në Kuvend, por edhe në politikën shqiptare. Madje në dokumentin e Grupit Parlamentar do të ketë sanksione, që mund të shkojnë deri në përjashtimin nga grupi parlamentar në rastet e përdorimit të dhunës”, nënvizoi ai.

Duke e cilësuar vijimin e bojkotit si një të drejtë të PD-së, Rama shtoi se është e drejtë e kësaj partie që të bëjë pjesën komike të përsëritjes së historisë. “Gjithsesi ne nuk mendojmë se kundërshtarët tanë janë anti-europianë, janë albanofobë, apo që janë përfshirë në ndonjë komplot në Bruksel kundër Shqipërisë. Ne jemi të gatshëm të përgjigjemi çdo pretendimi të arsyeshëm të PD për tu kthyer në Kuvend. Ne jemi të hapur për çdo kërkesë, mjaft që mos na kërkojnë që vendimet të mos ti marrim vetëm ne. Që të enjten jemi të gatshëm të votojmë çdo kërkesë për komision hetimor të PD”, tha Rama.

Fyle: Bojkoti s'është rruga e duhur

Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Europian, Stefan Fyle nënvizoi nevojën e dialogut konstruktiv mes palëve, reformat gjithpërfshirëse dhe kompromisit. Ai tha se këto janë elementët më të rëndësishëm, ndaj nuk duhet të harrohen në rrugëtimin drejt Bashkimit Europian.

“Integrimi në BE duhet të jetë gjithëpërfshirës, unë e di që ka vullnet bashkëpunimi dhe duhet zbatuar. Pasi në fund do ketë vetëm një fitimtar, Shqipëria dhe populli shqiptar”, u shpreh Fyle.

Lidhur me bojkotin parlamentar të opozitës, ai deklaroi se dalja nga Parlamenti dhe nxjerrja e betejës politike në rrugë, nuk është mënyrë evropiane dhe ky veprim nuk e ndihmon Shqipërinë në ambicien e saj për tu integruar. /albeu.com/
Shtuar më 29/09/2014, ora 14:47
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori