Establishmenti politik po planifikon rikthimin e Britanisë në Bashkimin Evropian

Nga Nigel Farage “Daily Telegraph

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Për vite me radhë, kam lexuar me shumë interes rubrikën e Boris Johnson në gazetën “Dali Telegraph”. Kam qenë gjithmonë i kënaqur nga vizioni i tij mbi shtetin e vogël dhe të taksave të ulëta.

Qasja e tij skeptike ndaj BE-së gjatë, madje edhe pas viteve të kaluara si korrespondent në Bruksel ishte shumë humoristike.

Opinionet e tij nuk shkuan kurrë aq larg sa të miat në kundërshtimin ndaj bllokut, por sigurisht tregonin drejtimin e duhur që duhej të ndiqte vendi. Me gjasë ndarja më e madhe midis nesh gjatë 3 dekadave të fundit ka qenë mbi emigracionin.

Ndërsa unë kam qenë gjithmonë i shqetësuar për shtimin e miliona të huajve që vijnë në vendin tonë, ai dukej i qetë. Në vitin 2019, unë formova dhe drejtova Partinë Brexit, duke garantuar zhdukjen politike të Theresa May dhe nga ana tjetër krijova terrenin për ngjitjen në krye të Johnson.

Më pas, në zgjedhjet parlamentare 5 muaj më vonë, përballë mundësisë së një referendumi të dytë të BE-së nga Laburistët dhe Liberaldemokratët, vendosa që asnjë kandidat i Partisë Brexit nuk do të sfidonte konservatorët në 317 vendet që kishin fituar në zgjedhjet e mëparshme.

Ky pakt ndodhi pasi Johnson u angazhua për mos harmonizimin e rregulloreve me BE-në dhe për t’u larguar nga unioni brenda vitit 2020. Në fund, ai e realizoi vërtet Brexit-in. Por që nga ajo kohë unë mund të shpreh vetëm zhgënjimin dhe zemërimin se si kanë shkuar gjërat.

Sigurisht, ka pasur disa suksese dhe unë besoj se vendi gjendet sot në një pozitë më të mirë në skenën globale.

Industria jonë e shërbimeve po ecën jashtëzakonisht mirë, dhe shpërhapja jonë e suksesshme e vaksinave dëshmon se çfarë mund të bëhet si një vend i pavarur. Këto gjëra nuk do të ishin të mundura nëse Johnson nuk do të kishte marrë vendimin historik për të mbështetur grupin e Brexit në referendumin e vitit 2016.

Për këtë gjë, do t’i jem përjetësisht mirënjohës. Madje do të shkoja aq larg sa të thosha se po të mos e kishte bërë ai, një çerek shekulli i jetës sime do të kishte qenë një dështim. Por 7 vite pas referendumit dhe 3 vjet pas largimit nga BE, emigracioni – çështja më e rëndësishme që bindi shumicën e njerëzve të mbështesin Brexit – është në nivele më të larta se kurrë më parë.

Vitin e kaluar, numri arriti në 606.000. Kjo shifër befasues shihet nga unë dhe miliona të tjerë si një tradhti ndaj Brexit. Shtojini asaj faktin që bizneset tona të vogla nuk kanë gëzuar deri më tani asnjë nga përfitimet e largimit nga BE-ja, dhe nuk është e vështirë të kuptohet arsyeja pse 1/3 e votuesve të Brexit besojnë tani se projekti ka dështuar.

Një pjesë e madhe e problemit është se shumë individë dhe grupe me ndikim nuk e pranuan kurrë rezultatin e referendumit. Bizneset e korporatave me bazë në Londër, pjesa më e madhe e medias dhe një pjesë e madhe e sektorit të arsimit, janë përpjekur të përmbysin ose minojnë rezultatin e referendumit.

Nuk ka kufij mbi atë që do të bëjnë aktivistët kundër Brexit, përfshirë portretizimin e votuesve të Brexit-it si racistë. Një figurë tjetër që luajti një rol të rëndësishëm në përpjekjen për të përmbysur vullnetin e popullit ishte ish-kryetari i Dhomës së Komunëve, John Bercow, që duket se bëri çmos ta ndihmonte parlamentin që të siguronte një referendum të dytë.

Këto përpjekje për të përmbysur demokracinë britanike duhet të kishin marrë fund pasi konservatorët nën udhëheqjen e Johnson, i fituan zgjedhjet parlamentare të dhjetorit 2019. Le të mos harrojmë se sa votues tradicionalë laburistë, ndihmuan për ta çuar atë në Ten Downing Street.

Por të gjitha përpjekjet – që vazhdojnë edhe sot e kësaj dite – dëshmojnë se Johnson ka të drejtë kur thotë: “Unë nuk jam i vetmi që mendoj se po zhvillohet një gjueti shtrigash, për t’u hakmarrë për Brexit-in, dhe në fund për të ndryshuar rezultatin e referendumit të 2016-ës”. Megjithatë, është një gjueti shtrigash që e kanë bërë të mundur vetë konservatorët. Dhe tani që ata kanë humbur figurën e tyre të vetme të nivelit të lartë që kishte një lloj sharmi populist, elitat liberale janë kthyer në kontrollin e situatës.

Ata që besojnë tek Brexit, tregjet e lira dhe shteti i vogël, janë mënjanuar. Për të gjetur faktet për këtë që po them mos kërkoni më larg se Korniza Uindsor. Establishmenti e përshëndeti atë si një përparim të procesit të Brexit. Në fakt, ajo e mban Irlandën e Veriut të shkëputur nga pjesa tjetër e Britanisë së Madhe.

Megjithatë, pavarësisht nga mangësitë e tij, vetëm 22 mbështetës të Brexit në radhët e konservatorë votuan kundër tij (njëri prej të cilëve ishte Johnson). Pra sot jemi kthyer aty ku ishim në kohën e Traktatit të Mastrihtit, në fillim të viteve 1990.

Dhe shumë shpejt mund të përballemi me një qeveri laburiste, e cila nuk do të humbiste kohë duke na përafruar sërish me rregullat e tregut të vetëm. Nën drejtimin e Starmer, do të hedhë rrënjë Brino, Brexit vetëm në emër.

Pa një opozitë për të luftuar për një Britani të pavarur, do të jetë vetëm çështje kohe para se të bëhemi një anëtar i asociuar i BE-së. Brexit do të ketë vdekur. Vendi ynë, së bashku me pjesën tjetër të BE-së, do të shkonte drejt kolapsit. /albeu.com


Shtuar 13.06.2023 16:32