Franca barrikadë Shqipërisë për vizat
Pëlqej
Sarkozy
Në kohën kur heqja e vizave po i afrohet vendimmarrjes përfundimtare nga vendet anëtare të BE-së, Iniciativa Europiane për Stabilitet ngre alarmin për qëndrimin kundërshtues të Francës për këtë proces.

Në një opinion të publikuar në faqen zyrtare të organizatës që njihet me emrin “ESI”, dy krerët e saj, Gerald Knaus dhe Alexandra Stiglmayer denoncojnë atë që mund të çojë në mosmbajtjen e premtimit të BE-së ndaj Shqipërisë dhe Bosnjes.

Pas mbledhjes së përfaqësuesve të vendeve anëtare që mbulojnë Ballkanin, Franca vazhdon të shfaqë qëndrim problematik për heqjen e vizave.
“Fakti që Franca po sfidon rezultatet e Komisionit dhe që argumenton se Bosnja dhe Shqipëria nuk duhet të marrin në 2010-ën atë që Serbia mori në vitin 2009, nuk bën gjë tjetër veçse dëmton besueshmërinë e dobësuar sakaq të BE-së në të gjithë rajonin dhe sugjeron se kushtëzimi i BE-së është politik dhe nuk ka lidhje me reformat”, thuhet në faqen zyrtare.

Sipas Knaus dhe Stiglmayer, Shqipëria dhe Bosnja nuk duhet të mbërthehen nga darët e anti-myslymanizmit francez dhe kryqëzatës së kohëve të fundit të këtij vendi kundër Komisionit Europian.

“Disa besojnë se ky veprim është pjesë e një kryqëzate franceze kundër Komisionit, i cili kohët e fundit kritikoi qeverinë e Sarkozy mbi mbylljen e kampeve rome dhe dëbimin e banorëve të tyre në Rumani. Të tjerë argumentojnë se ajo është e bazuar në paragjykime populiste, anti-myslimane. Popullsitë e Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë janë kryesisht të krishtera. Shqipëria dhe Bosnje-Hercegovina, por dhe Kosova së cilës ende nuk i është dhënë një proces i liberalizimit të vizave, kanë shumicë myslimane”, thuhet në ueb sajtin e ESI-t.

Burime konfidenciale rrëfyen për TCH se Franca kërkon shtyrjen e heqjes së vizave me argumentin se Shqipëria dhe Bosnja kanë ende shumë punë për të bërë në fusha të tilla si: reforma gjyqësore apo transparenca për financimin e partive politike, kërkesa këto që nuk janë pjesë e kritereve që duhet të plotësonin vendet sipas udhërrëfyesit për vizat.

“Ministria e Jashtme franceze mund të ndihmojë duke paralajmëruar pallatin Elysée mbi dëmin e madh që kjo pozitë kundërshtuese mund të ketë për imazhin e Francës në rajon”, nënvizojnë Knaus dhe Stiglmayer.

Ndërkohë që kjo çështje diskutohet sot në nivelin e ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së, ESI uron që Franca të mbetet e izoluar, me qëllim që procesi i heqjes së vizave të kurorëzohet brenda afateve të pritura, në mënyrë që të mos shtyhet për vitin e ardhshëm.

“Për sa kohë që Franca qëndron e vetme, kundërshtimet e saj mund të rrëzohen lehtë nga votat. Edhe në qoftë se një ose dy shtete anëtare i bashkohen kampit francez, mund të arrihet gjithsesi “shumica e cilësuar”, një shumicë prej tre të katërtave”, thuhet më tej në njoftim.

Pas votës në seancën plenare të Parlamentit Europian të martën e ardhshme, mbetet edhe një muaj kohë për të bindur vendet skeptike anëtare deri në vendimin e Këshillit të BE-së, i cili është parashikuar nga Presidenca belge më 8 nëntor.
Shtuar më 29/09/2010, ora 21:00
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori