"Fluturuam me gjithë krevat nga kati i 7", e mbijetuara tregon me detaje momentin e tërmetit
Yllka Osmani, njëra nga të mbijetuarat e tërmetit ka treguar për emisionin "Historia ime", se si arriti të shpëtonte. Yllka tregoi se ajo dhe bashkëshorti ndodheshin në katin 7 të ndërtesës dhe nuk kishin patur mundësi të dilnin.

"Jetoj bashkë me familjen. Bashkëshorti, djali dhe vajza. Djali jetonte në katin e pare atë natë ndërsa vajza ishte në Tiranë. Ne ishim në katin e shtatë dhe ra tërmeti i dytë që ishte më i fortë se i pari. Edhe u cuam, menduam se nuk do kishte më, por filloi i treti dhe nuk na la kohë të bënim asgjë. Atje thamë Zot na ndihmo dhe kur pamë që fluturuam me gjithë krevat. Ra komplet ndërtesa në tokë, komplet u shkri, u bë pluhur i bardhë. Ne nuk e di kur e kemi parë veten aty, bashkëshorti që më thërriste Yllka ku je? Unë i thoja ti ku je se nuk shihej asgjë. Kur e shoh bashkëshortin të varur, kokë edhe këmbë dhe duar dhe i mbahej vetëm një pjesë e këmbës tek një pjesë solete. Nuk e di si i kam dhënë fuqi vetes dhe e kam tërhequr drejt vetes. Pastaj kemi ndenjur në rrënoja të sakatuar,vetëm rrënkonim. Pastaj dëgjuam zëra nga lagjja që panë se ndërtesa u shkri komplet dhe thoshin jeni gjallë, flisnin, a jeni gjallë, përmendnin emrat tanë dhe pastaj na nxorrën nga rrënojat. Pastaj pamë që nga kati i shtatë ishim në tokë. Në ato moment kam mbuluar kokën me jastëk që mos shikoja vdekjen me sy", tregoi Yllka.

Shtuar më 29/11/2019, ora 12:37

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori