Flet prokurori që çoi në burg "Bandën e Lushnjes": Grupimi kriminal më i organizuar
Përparim Kulluri, i njohur si prokurori që çoi në burg bandën e Lushnjës, ka dhënë detaje të reja mbi mënyrën e funksionimit të kësaj bande dhe dërgimin e saj në burg.

Ish-kryeprokurori i Lushnjës thotë për gazetën Shqip se “banda e Lushnjes ishte grupimi kriminal më i organizuar që kishte hetuar ndonjëherë”.

Hetimi i bandës së Aldo Barës nuk ka qenë i lehtë, pasi prokurori është ndjerë shpesh i rrezikuar, por kjo nuk e ka penguar për të vazhduar përpara. Ai ku ka kërkuar dënimet më të ashpra për ushtarët e Aldo Bares.

Kulluri, i cili u emërua drejtues i prokurorisë së rrethit Lushnje në dhjetor të vitit 2000, tregon për SHQIP dy arrestimet kyçe, që çuan më pas në zbulimin e aktivitetit kriminal të bandës së Lushnjës.

“Një rol tepër të rëndësishëm në riçeljen e këtyre çështjeve ka luajtur arrestimi i Dritan Vilës si një nga vrasësit më të besuar të kësaj bande dhe arrestimi i Petrit Liçit i cili provohej se kishte marrë pjesë në disa ngjarje kriminale dhe që më pas u bë nashkëpunëtor i drejtësisë”, thekson Kulluri.

Banda e Lushnjës, një prej më mizoreve në vend ka lënë shumë viktima, mes të cilëve edhe oficerë policie, të afërm të tyre apo dhe punonjës të institucioneve të tjera, por edhe qytetarë të thjeshtë.

Banda e Lushnjes, është ndër të parat që kishte një organizim të mirëstrukturuar në formë piramide. Aldo Bare ishte udhëheqësi me autoritet absolut. Fjala e tij nuk diskutohej por thjesht zbatohej. Ai thirrej “Kryetari”, “I madhi”, “Plaku” dhe “Profesori”. Pranë tij, si njerëz që shpërndanin dhe zbatonin detyrat e “profesorit” ishin Enver Dondollaku, Erjon Cici, Arben Boriçi, Ilir Stërgu, Edjan Xhafa, Maksim Çela dhe Leonard Prifti që ishte vrasësi me i besuar i Bares.

Intervista e plotë

Pyetje: Ju keni qenë ndër prokurorët që keni hetuar Bandën e Lushnjes, cilat kanë qenë karakteristikat e grupit?

Kulluri: Unë jam emëruar si drejtues i prokurorisë së rrethit Lushnje në dhjetor të vitit 2000. Në atë kohë një bjesë e bandës së Lushnjes ishte arrestuar dhe kishte filluar gjykimi në Gjykatën e Elbasanit për arsye sigurie.

Aty kam shkuar pas një periudhe të shkurtër si prokuror në qytetin e Vlorës , qytet jo më pak i ngarkuar me ngjarje të rënda kriminale.

Sapo kam shkuar aty jam njohur me mënyrën e krijimit dhe organizimin saj. Për mendimin tim me atë përvojë që kisha deri në atë kohë,banda e Lushnjes ishte grupimi kriminal më i organizuar që kisha hetuar ndonjë herë.

Pyetje: A jeni ndjerë i rrezikuar si prokuror, pasi jeni përballur me bandat e rrezikshme?

Kulluri: Patjetër që të hetosh banda të tilla rreziku është prezent megjithatë nga policia janë marrë masa për sigurinë time fizike, por edhe të kolegëve të tjerë që kanë hetuar këtë çështje.

Pyetje: Si e keni zbuluar aktivitetin kriminal të bandës së Lushnjes?! A ishte vështirë në kohën tuaj, të hetonit këta persona?

Kulluri: Vërtetë që një pjesë e tyre po gjykoheshin në Elbasan midis tyre edhe drejtuesi i kësaj bande Alfred Shkurti (Aldo Bare), por në prokurori dhe polici kishte dhe çështje të tjera të pasbardhura apo të pezulluara.

Një rol tepër të rëndësishëm në riçeljen e këtyre çështjeve ka luajtur arrestimi i Dritan Vilës si një nga vrasësit më të besuar të kësaj bande dhe arrestimi i Petrit Liçit i cili provohej se kishte marrë pjesë në disa ngjarje kriminale dhe që më pas u bë nashkëpunëtor i drejtësisë.

Pyetje: Ju bashke me prokurorin Andon Martini, keni dhënë pretencen për një pjesë të bandës së Lushnjës. Si arritët ta kopsisni dosjen, në një kohë kur krimi kishte eliminuar edhe zyrtarë shtetërorë?

Kulluri: Viktima të sulmeve të tyre kanë mbetur oficerë policie, të afërm të tyre apo dhe punonjës të institucioneve të tjera, por edhe qytetarë të thjeshtë apo në shumë raste është dëmtuar prona e tyre me zjarr apo ekzploziv.

Ka qenë shumë e vështirë t’i hetoje këto vepra për shkak të egërsisë me të cilën ata kanë kryer krimet. Duhet thënë që qytetarët e atij qyteti kanë qenë të terrorizuar dhe ka qenë e vështirë për institucionet të fitonin besimin tyre . Ne jemi lodhur shumë në atë periudhë të kthejme qetësinë në atë qytet qetësi kjo që mesa duket është prishur sërish kohët e fundit./gazeta Shqip/
Shtuar më 22/01/2020, ora 13:48

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori