Dhjetra të vdekur, tragjeditë më të mëdha shqiptare me autobusë gjatë viteve të fundit

Gjatë dekadave të fundit është rritur numri i aksidenteve rrugore me autobusë. Bilanci i viktimave është tragjik, duke shkaktuar frikë dhe pasiguri kudo. Tragjedia e mëngjesit të sotëm na rikujtoi disa nga ngjarjet më të dhimbshme të aksidenteve rrugore gjatë viteve të fundit.

2002- Dhjetë të vdekur në kufirin Kosovë-Mal i Zi

Dhjetë persona humbën jetën, përfshirë edhe dy fëmijë, si dhe 31 të tjerë mbetën të plagosur  më 25 korrik të vitit 2002 në kufirin Kosovë-Mal i Zi. Autobusi me 40 pasagjerë ishte duke udhëtuar nga Ulqini për në Kosovë kur doli nga rruga. Aksidenti ndodhi në orën 05:00.

2010 – Gjashtë viktima në një aksident në Austri

Më 22 shkurt 2010, gjashtë persona nga Kosova humbën jetën kur një autobus që udhëtonte nga Prishtina u përplas në Vjenë.  Autobusi u përplas me dy kamionë në një autostradë në afërsi të kryeqytetit të Austrisë.

6 persona humbën jetën mes tyre shoferët e autobusit dhe mbetën të plagosur 37 persona.

2012- 13 studentë humbën jetën, 20 mbetën të plagosur në një aksident në Shqipëri

Një autobus me studentë të Universitetit Aleksandër Xhuvani u rrëzua pranë vendit të quajtur Ura e Vishës në afërsi të Himarës. Ngjarja ndodhi 21 maj të viti 2012, rreth orës 16:15. Nga aksidenti i rëndë humbën jetë 13 persona: 11 vajza dhe 2 djem, mes të cilëve edhe shoferi i autobusit.

Bëhej fjalë për një grup prej 33 studentësh, të cilët udhëtonin nga Saranda në një autobus me targa të Elbasanit. Dëshmitarët në vendngjarje thanë se mjeti ka rënë nga një lartësi prej 80 metra.

Korrik 2021 – Dhjetë viktima në Kroaci

Më 25 korrik 2021, në një aksident në Kroaci mbetën të vdekur 10 persona me origjinë nga Kosova, të cilët po udhëtonin në autobusin e linjës Frankfurt-Prishtinë. 45 persona mbetën të plagosur.  Në autobus ndodheshin 67 pasagjerë, përfshirë edhe fëmijë. Ngjarja tepër e rëndë ndodhi rreth orës 6:00 të mëngjesit, shkruan abcnews.al

22 nëntor 2021- 45 viktima mes tyre edhe fëmijë në Bullgari

Një ngjarje shokuese ndodhi ditën e sotme në Bullgari, ku si pasojë e zjarrit të rënë në një autobus humbën jetën 45 persona mes tyre 12 fëmijë. Autobusi mori flakë në autostradën e Strumës, 50 km larg Sofjes. Viktimat e tragjedisë janë persona në moshë të vogël të moshës prej 25-30 vjeç. Sipas homologëve maqedonas shumë nga turistët ishin me origjinë shqiptare dhe jetonin dhe punonin jashtë Republikës së Maqedonisë së Veriut./abcnews.al

 


Shtuar 23.11.2021 10:42