I morën ryshfet e pastaj e dhunuan qytetarin, 3 policët në Pogradec e pësojnë keq

SHÇBA ka proceduar penalisht 3 punonjës të policisë së Pogradecit. Inspektorët B.P., K.B. dhe E.O. janë proceduar penalisht dhe rasti i tyre është referuar në Prokurorinë e Pogradecit pasi rrahën një qytetar duke i thyer dhëmbët dhe i morën para.

Ngjarja është denoncuar nga emisioni Stop në Tv Klan më 10 Nëntor 2021. Tre punonjësit e policisë me detyrë trup shërbimi i patrullës së përgjithshme akuzohen për shpërdorim detyre, kryerje e veprimeve arbitrare dhe korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike.

Lajmi është bërë i ditur nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, që nisi menjëherë verifikimet për rastin ditën kur u denoncua ngjarja nga emisioni Stop.

NJOFTIMI I SHÇBA:

Pogradec – Në vijim të njoftimit paraprak për nisjen e hetimeve lidhur me denoncimin në emisionin investigativ “STOP” në TV Klan, të shtetasit I.D., Drejtoria Rajonale e SHÇBA Korçë-Elbasan ka referuar materialet hetimore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec në ngarkim të 3 punonjësve të policisë, për Inspektorët B.P., K.B. dhe E.O., me detyrë trupë shërbimi në Patrullën e Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Pogradec.

Materialet hetimore në ngarkim të 3 punonjësve të policisë u referuan, pasi në 10 nëntor, në emisionin “STOP” është transmetuar denoncimi i shtetasit I.D. se u dhunua fizikisht nga punonjësit e policisë në datë 21.10.2021, në Pogradec.

Nga veprimet hetimore të kryera, dyshohet se punonjësit e Policisë janë përfshirë në veprime korruptive, me qëllim favorizimin e të riut, duke mos e ndëshkuar atë për shkelje të kufizimeve të lëvizjes pas fashës orare të lejuar, si edhe drejtim të automjetit në gjendje të dehur.

Materialet janë referuar në gjendje të lirë për punonjësit e Policisë për veprat penale “Shpërdorim detyre”, “Kryerja e veprimeve arbitrare” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

SHÇBA falenderon mediat për bashkëpunimin dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.

DENONCIMI:

Qytetari Ilirjan Dojçe tha në emisionin Stop se ai ishte ndaluar nga 3 policët pas orës 23:00 kur hynte në fuqi ora policore. Sipas qytetarit, ai u kishte dhënë para policëve për të mos e gjobitur që kishte dalë jashtë orarit të lejuar.

Por më pas, kur parkoi makinën para shtëpisë, të njëjtët policë i dolën sërish përpara dhe e rrahën duke i thyer dhmbët. Nga kamerat e fshehta të Stop, punonjësit e policisë pranonin se kishin marrë para nga qytetari dhe që e kishin dhunuar. /albeu.com/

 

 


Shtuar 12.11.2021 22:39