Rusia e akuzoi se do të përdorte pajisje radiokative, Ukraina e mohon: Vetë ata mund ta përgatisin një sulm të tillë

Ukraina ka dënuar pretendimet e pabazuara të Rusisë se Kievi mund të përdorë eksplozivë konvencionalë të mbushur me material radioaktiv.

Presidenti Volodymyr Zelensky tha se kjo do të thotë se vetë Rusia mund të përgatiste një sulm të këtij lloji.

Aleatët e Ukrainës gjithashtu hodhën poshtë pretendimet, me SHBA-të që thanë se “hodhi poshtë çdo pretekst për përshkallëzimin rus”.

Ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu bëri komentet për bombë në një telefonatë me homologun e tij në Mbretërinë e Bashkuar Ben Ëallace.

Ai tha se ishte “i shqetësuar për provokimet e mundshme nga Kievi që përfshijnë përdorimin e një bombe radioaktive”.

Të dielën, Shoigu zhvilloi gjithashtu një sërë telefonatash me ministrat e mbrojtjes të SHBA-së, Francës dhe Turqisë, duke shprehur alarmin e Moskës. Ai nuk dha asnjë provë për të mbështetur akuzat e tij.

Duke iu përgjigjur kësaj, Presidenti Zelensky akuzoi Rusinë se është “burimi i gjithçkaje të pistë që mund të imagjinohet në këtë luftë”.

Ai tha se Rusia po kërcënonte botën “me një katastrofë rrezatimi” në uzinën bërthamore të Zaporizhzhia të cilën e kishte kapur dhe foli gjithashtu për kërcënimet e Moskës për të shpërthyer një digë të madhe në Ukrainën jugore. Kremlini i mohon akuzat./albeu.com


Shtuar 24.10.2022 07:17