Dalin fotot, vajza e Donald Trump dhe bashkëshorti i saj kalojnë pushimet në Shqipëri (FOTO LAJM)

Mbrëmjen e djeshme në emisionin “Opinion” është diskutuar rreth vendeve më të mira dhe problematikave për të pushuar në vendin tonë. Mes të ftuarve ka qenë edhe Auron Tare, i cili ka treguar se në fund të korrikut kanë vizituar Shqipërinë Ivanka Trump dhe Jared Kushner. Vizita e tyre në Shqipëri nuk është bërë aspak mediatike dhe sipas tij gjatë qëndrimit të tyre 5-6 ditor nuk arriti t’i njihte askush.

Auron Tare: Kanë ndenjur 5-6 ditë. Erdhën nëpërmjet një mikut tim  dhe qëndruan në jaht dhe jo hotel. I pëlqeu sigurisht, Shqipëria është interesante. Para se të iknin në Korfuz, erdhën në Butrint dhe vende si Butrinti janë vende të jashtëzakonshme për t’i dhënë një tjetër mesazh këtyre njerëzve.

Blendi Fevziu: Në fakt ata zbritën në Tiranë apo jo dhe e bënë me jaht gjithë bregdetin shqiptar.

Auron Tare: Po nga Kepi i Rodonit, në Sazan, Porto Palermo dhe më poshtë.

Blendi Fevziu: Çfarë vizituan në brendësi të territorit?

Auron Tare: Të gjitha, i çova në Qeparo për punën George Tenet që ka një shtëpi dhe për fshatin, por edhe për t’i thënë që ai është shqiptar dhe jo grek siç kanë thënë.

Blendi Fevziu: I njohu njeri?

Auron Tare: Jo fare. Vizituan Sazanin, Porto Palermon, Qeparoin dhe në fund fare Butrintin. Bëmë një fluturim me helikopter deri në Leusë të Përmetit, një pjesë  e malit po digjej atje, ishte koha e flakëve, fluturuam deri afër në kufi me Greqinë dhe u kthyem.


Shtuar 22.09.2021 10:40