Artan Santo përcillet për në banesën e fundit (FOTO-LAJM)

Update- Pas homazheve të zhvilluara në Sheraton, trupi i pajetë i të ndjerit Artan Santo eshte nisur pasditen e sotme për në varrezat e Sharrës, ku edhe do te prehet. Kortezhi i makinave pershkoi nje pjese te bulevardit dhe me pas ka hyre ne Ish-Bllok, per te kaluar per here te fundit ne institucionin qe ai themeloi dhe ku nje dite me pare u qellua per vdekje, Banka Credins.

13:24- Familjarët, miqtë, kolegët, por edhe figura të njohura të politikës, biznesit dhe medias i dhanë sot lamtumirën e fundit bankierit Artan Santo, në një ceremoni homazhesh që po mbahet në hotel “Sheraton”.

Në ceremoninë e lamtumirës ishin të pranishëm kryeministri Rama; kryetari i Kuvendit, Meta, ministra të qeverisë, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, përfaqësues të opozitës dhe të trupit diplomatik në Tiranë. Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, në një prononcim për median pas homazheve, tha se vendi ka humbur një prej pionierëve të sistemit bankar.

“Është moment shumë i trishtueshëm për t’i dhënë lamtumirën një prej pionierëve të sistemit bankar në vendin tonë, një prej njohësve më të mirë të ekonomisë. Në këtë ditë trishtimi u shpreh ngushëllimet e mia familjarëve, miqve dhe kolegëve. Kjo është një dorë mizore që duhet ndalur, jo vetëm për hir të drejtësisë, por për t’u dhënë qetësinë e merituar qytetarëve dhe gjithë shoqërisë shqiptare”, tha Meta.

11:24- Ish-kryeministri Fatos Nano mori pjesë sot në homazhet e zhvilluara për nder të bankierit Artan Santo. Në shenjë respekti, bashkëshortja e Nanos, u ndal para arkivolit, me trupin e pajetë të Artan Santos, me një tufë me lule. Më pas, Fatos Nano ka lënë shënimet e fundit në bllokun e kujtimeve, në ndër të të ndjerit Artan Santo.

Ora 11:10- Avokati Spartak Ngjela pasi është përulur me respekt para biznesmenit Santo deklaroi për mediat se në Shqipëri krimet nuk zbulohen. “Bankierët nuk i vret krimi. Kanë dashur o të marrin diçka, ose të fshehin diçka. Do e nxjerrin në hetim. Në Shqipëri krimet nuk zbulohen por harrohen.”- u shpreh Ngjela.


11:04- Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani e cilësoi si humbje të madhe për sistemin bankar, ndarjen nga jeta të bankierit Artan Santo.

Teatri Kombëtar: Me dhimbje dhe hidhërim të thellë Teatri Kombëtar mori lajmin për ndarjen nga jeta të mikut dhe bashkëpunëtorit Artan SANTO, anëtar i respektuar i Bordit Artistik, mungesën e të cilit do ta ndjejnë të gjithë ata që e njohën dhe punuan me të. Artan Santo krijoi një standard të ri për institucionin tonë. Duke qenë një nga biznesmenët më të mëdhenj shqiptarë, ai gjithsesi me dashuri dhe devocion gjeti gjithmonë kohën për t’ia kushtuar teatrit. Ai ishte një dashamires i madh i artit i cili nuk hezitoi kurrë të jepte ndihmën e tij të paçmuar në këtë fushë. Kontributi i tij do të mbetet i paharruar për Teatrin Kombëtar.

Luan Bregasi: Na iku një shok shumë i mirë, një mik, sipërmarrësi i talentuar dhe i suksesshëm. Në gjithë këtë aktivitet për tërë këto vite, Tani do mbetet një nga sipërmarrësit më të suksesshëm. Ndihemi keq sot, që Artan Santon s’do ta kemi më. Kemi besimin që ky aktivitet do të vazhdojë, dhe i bëjmë thirrje shtetit, institucioneve, që të bëjnë çështje e mundur që të zbardhet kjo vrasje, e mikut tonë, Artan Santos.

Koço Kokëdhima: Është një ditë dhimbjeje, jo vetëm për familjen, për të afërmit, për bashkëpunëtorët, por dhe për qytetarët e Shqipërisë. Kjo ishte një goditje që iu bë të gjithëve. Ne e kishim mik, shok dhe kam folur vazhdimisht me të.


"Për mikun tonë kujtimet më të mira. Do na mungojë buza gaz e tanit i qeshur. Jeta vazhdon ta kujtojmë gjithmonë për të mira. Është një humbje për sistemin bankar, se ai e krijoi vet institucionin dhe e çoi para. Një institucion që i bëri ballë krizës bankare. Banka ka një staf të përgatitur i cili i motivuar me dhimbje por i motivuar për ta çuar duke i bërë respektin e fundit këtij djali për ta vazhduar punën e tij dhe për të pasur jo vetëm një institucion solid por një institucion të rëndësishëm për ekonominë shqiptare." tha Fullani pas homazheve të kryera në Sheraton.
10:34- Në Hotel Sheraton nisin homazhet në nderim të bankierit Artan Santo i cili u vra dje në moshën 58-vjeçare. Familjarë, miq, kolegë, bashkëpunëtorë po përkulem me respekt para trupit të pa jetë të biznesmenit Artan Santo, për ti dhënë lamtumirën e fundit .

09:34- Familjarë, miq dhe kolegë i japin sot lamtumirën e fundit biznesmenit Artan Santo i cili u vra dje në moshën 58-vjeçare. Homazhet do të mbahen rreth orës 10:00 në Hotel Sheraton ndërsa rreth orës 16:00 t'i jepet lamtumira e fundit.

"Familja Santo falënderon të gjithë miqtë, të afërmit, koleget, të njohurit e Artanit, por edhe të gjithë shqiptaret për solidaritetin dhe ngushëllimet e ndjera në këtë moment kaq të vështirë. Ditën e nesërme, e premte 27 Qershor në orën 10.00 familja do të presë vizita dhe do të kryhen homazhe në nderim të Artan Santos në ambientet e Hotel Sheraton, ndërkohë që në orën 16.00 do të zhvillohet ceremonia funebre pranë varrezave të Sharrës", njofton familja e të ndjerit Artan Santo.

Biznesmeni Santo, bashkëpronar i medias “Focus Group”, i bankës ‘Credins’ dhe ‘TV Scan’, u qëllua mizorisht për vdekje me armë zjarri nga dy persona të maskuar dje rreth orës 9:30 në zonën e ish-Bllokut.


KUSH ISHTE ARTAN SANTO
Artan Santo, biznesmeni 58 vjeçar që u ekzekutua mëngjesin e sotëm ishte babai i dy fëmijëve. Ai ka qenë i njohur në Shqipëri si pronar dhe bashkëpronar i disa aktiviteteve bankare por edhe mediatike. Ai lindi ne Tirane ne shtator te vitit 1956.

1976-1979 – Fakulteti i Ekonomisë, diplomohet ekonomist kontabël.
1981-1987 – Fakulteti i Shkencave Politike –Juridike, diplomohet jurist.

Eksperienca e punës
Bashkëpronari i medias “Focus Group” dhe i TV Scan
2003-2004 e në vazhdim: Drejtor ekzekutiv i Credins Bank.
2001-2002 Instituti Financiar Credins, drejtor i kreditit.
1997-2001 Banka e Kursimeve, drejtor i përgjithshëm.
1994-1997 Banka e Kursimeve, drejtor i Drejtorisë së Huave me Probleme.
1993-1994 Banka e Kursimeve, zv.drejtor i përgjithshëm, drejtor i Degës Tiranë.
1992-1994 Banka e Kursimeve, zv.drejtor i përgjithshëm – drejtor i Kreditit.
1991-1992 Banka e Kursimeve, specialist krediti.
1989-1990 Banka e Shtetit Shqiptar, shef i sektorit studimor në Drejtorinë e Kambizmit
1990-1991 Banka e Shtetit Shqiptar, zv.drejtor i Drejtorisë së Jashtme.
1984-1991 Instituti i Studimeve Ekonomike, Sektori i Studimit të Ekonomisë Botërore bashkëpunëtor tekoniko – shkencor.
1981-1984 Ndërmarrja Tregtare Industriale Tiranë, kryerevizor.

Artan Santo njihet si njeriu që bëri kthesën në Bankën e Kursimeve. Në korrik të 97-ës, kohë në të cilën Santo emërohet drejtor i përgjithshëm i kësaj banke, bilanci financiar i saj ishte me një humbje prej 6.6 miliardë lekësh. Ndërkohë që kur është larguar në shkurt të viti 2001, rezultati financiar i vitit 2000 i bankës ishte 6 miliardë lekë fitim. “Ndihem tërësisht krenar për faktin që arrita të ndryshoj situatën financiare të gjigantit bankar në Shqipëri”, - thotë Santo.

" Ishte fakt që eksperienca e gjatë në poste të ndryshme në Bankën e Kursimeve dha rezultat në punën time si drejtor i saj", eshte shprehur dikur ai. /albeu.com/
Shtuar më 27/06/2014, ora 16:24

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori