FAKTET/ A organizoi Olta Xhaçka një puç ushtarak pas grabitjes në Rinas?
Ministria e Mbrojtjes Olta Xhaçka deklaroi mbrëmë publikisht se do të rrethonte aeroportin e Rinasit ushtri për shkak se grabitja e dy ditëve më parë cënoi rendë sigurinë kombëtare.

Xhaçka tha se në këtë operacion për sigurimin e perimetrit do të angazhoheshin forcat speciale të ushtrisë. Bëhet fjalë pikërisht për Batalionin e Operacioneve Speciale, të cilët deri më tani janë angazhuar kryesisht në zona dhe situata lufte, kryesisht në Afganistan, shkruan Albeu.com.

Reagimi i Xhaçkës u lexua si krejtësisht i paprecedent, pasi angazhimi i ushtrisë, ashtu siç thotë edhe Kushtetuta por edhe Ligji për Forcat e Armatosura, bëhet atëherë kur shpallet gjendja e jashtëzakonshme në të gjithë territorin apo në një pjesë të tij. Shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme kërkohet nga qeveria dhe miratohet nga Kuvendi.

Gjatë ditës së djeshme nuk është bërë asnjëra nga këto, megjithatë ushtria e rrethoi Rinasin me urdhër të ministres së Mbrojtjes, një veprim ky i ngjashëm me kryerjen e një puçi ushtarak, ku ushtria merr të gjitha përgjegësitë për vendosjen e rendit publik duke nxjerrë jashtë loje policinë.

Reagimi i Xhaçkës cilësohet si i paprecedent edhe për faktin se Policia Shqiptare ka në dispozicion reparte të specializuara për situata të tilla siç janë FNSH apo RENEA, të cilët mund të sigurojnë mjaft mirë sigurinë në institucione të sigurisë së veçantë, siç janë godinat qeveritare, portet, aeroportet, etj.

Po ashtu, vendosja e ushtrisë në Rinas është edhe një mesazh i fortë ndaj Sandër Lleshajt duke i thënë se nuk mundësoi siç duhet sigurinë dhe tashmë është ushtria që ka marrë situatën në dorë.

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë

Neni 173
1. Në rast rreziku për rendin kushtetues dhe për sigurinë publike, Kuvendi, me kërkesë të Këshillit të Ministrave, mund të vendosë në një pjesë ose në të gjithë territorin e shtetit gjendjen e jashtëzakonshme, e cila zgjat për aq kohë sa vazhdon rreziku, por jo më shumë se 60 ditë.

2. Me vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme ndërhyrja e forcave të armatosura bëhet me vendim të Kuvendit dhe vetëm kur forcat e policisë nuk janë në gjendje të rivendosin rendin.

3. Zgjatja e afatit të gjendjes së jashtëzakonshme mund të bëhet vetëm me pëlqim të Kuvendit çdo 30 ditë, për një periudhë jo më shumë se 90 ditë!!

LIGJI PËR PUSHTETET DHE AUTORITETET E DREJTIMIT E TË KOMANDIMIT TË
FORCAVE TË ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

Neni 22
Përdorimi i Forcave të Armatosura gjatë gjendjes së jashtëzakonshme

1. Gjendja e jashtëzakonshme vendoset me ligj nga Kuvendi, sipas dispozitave të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.

2. Me vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme, Forcat e Armatosura, me vendim të Kuvendit, pas kërkesës së Këshillit të Ministrave, mund të ndërhyjnë për rivendosjen e rendit, vetëm kur forcat e policisë nuk janë në gjendje ta kryejnë këtë detyrë.

3. Gjatë gjendjes së jashtëzakonshme Kryeministri është drejtpërdrejt përgjegjës për drejtimin e Forcave të Armatosura, përmes hierarkisë së drejtimit e të komandimit.

4. Pas përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme Kryeministri i raporton Kuvendit për përdorimin e Forcave të Armatosura gjatë kësaj periudhe.

5. Veprimet, që ndërmerren nga Forcat e Armatosura gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, duhet të jenë në përpjesëtim me shkallën e rrezikut dhe duhet të synojnë rivendosjen sa më të shpejtë të funksionimit normal të shtetit. /albeu.com/


Shtuar më 11/04/2019, ora 12:03

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori