Monedha e përbashkët europiane ka shënuar ditën e shtatë radhazi me rënie në
tregun vendas. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë një
euro është këmbyer sot me 125.44 lekë, rreth 0.08 pikë më pak se një ditë më parë, duke hyrë kështu në një trend rënës.
Sipas ekspertëve kryesor të tregut të këmbimit valutor, arsyeja kryesore e zhvlerësimit të euros në
tregun vendas janë vëllimet shumë të ulëta tregtare gjatë këtij muaji. Ata argumentojnë se për shkak të qarkullimit të ulët të monedhës vendase në treg, leku është bërë më i shtrenjtë në raport me euron. Sipas aktorëve kryesor të tregut, muaji tetor njihet si një muaj i vdekur për tregtinë, ku në përgjithësi bizneset shënojnë qarkullimin minimum të gjithë vitit.
Gjithashtu edhe Banka e Shqipërisë nuk ka qenë më e pranishme në
tregun vendas. Në fillim të qershorit Banka nisi ndërhyrjen e jashtëzakonshme në
tregun vendas për të tërhequr tepricat në valutë nga tregu. Me 5 qershor
euro kapi nivelin më të ulët të këmbimit në 10 vite, duke u tregtuar me 124.1 lekë. Ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë arritën të stabilizonin kursin e këmbimit valutor. Për tremujorin e dytë, Banka e Shqipërisë bleu nga tregu 108.8 milionë
euro.
Megjithatë, përveç qarkullimit të ulët të lekut dhe lënien e tregut të lirë nga BSH, ekspertët shtojnë se në zhvlerësimin e lekut ndikim psikologjik kishte edhe emetimi i Eurobondit nga qeveria.
Sipas bankave të nivelit të dytë në vend shumë investitorë ishin në pozicion të hapur për të investuar në Eurobond, dhe një pjesë e tyre pas emetimit kanë konvertuar fondet nga valuta në lekë.
Monedha e gjelbër e ka nisur javën e stabilizuar në
tregun vendas. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë një dollar është këmbyer me 109.36 lekë, rreth 0.08 pikë më shumë se një ditë më parë./Monitor.al
Shtuar më 09/10/2018,
ora 17:59