Euro në “pikiatë”, Banka e Austrisë çuditet me Lekun: Vetëm në Shqipëri…

Në të gjithë rajonin e Europës Lindore dhe në vendet e Ballkanit, monedhat vendase patën luhatje në kursin e këmbimit, duke u nënçmuar në këmbim me Euron gjatë vitit të fundit, përveç Shqipërisë ku monedha vendase është mbiçmuar dukshëm ndaj valutës së përbashkët, vë në dukje një raport periodik i Bankës Qendrore të Austrisë për vendet e Europës Qendrore dhe Lindore.

Analiza e tregon se, Kuruna çeke humbi 2.5% dhe forinta hungareze 6%. Gjithashtu Denari maqedonas dhe Dinari serb patën një nënçmim të lehtë pas luftës në Ukrainë, përgjithësisht tregu i këmbimit pati stabilitet. Në Shqipëri, ndryshe nga vendet e tjera të rajonit, monedha vendase pësoi mbiçmim të shpejtë kundrejt Euros.

Një sondazh i Bankës Qendrore të Austrisë tregoi se besimi ndaj monedhave vendase në rajon ka rënë përveçse në Shqipëri, ku monedha kombëtare Leku është vlerësuar me 7% në këmbim me euros nga marsi 2022 në janar 2023.

Banka Qendrore e Austrisë vëren se zhvillimet ekonomike ishin të ngjashme me ato të vendeve të tjera të rajonit, përveçse në rastin e kursit të këmbimit, ku monedha shqiptare shfaq një prirje ndryshe.

Zhvillimet e brendshme në tregun shqiptar të këmbimit tregojnë se Euro është nënçmuar më tej pas janarit 2023.

Më 12 korrik, Euro u këmbye me 104.05 lekë, duke shënuar një nivel të ri minimal historik. Kursi Euro-Lek paraqitet në rënie me 11.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 8.9% që nga fillimi i këtij viti.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Genti Sejko, pak ditë më parë në një konferencë për mediat tha se forcimi i Lekut është si rrjedhojë e zhvillimeve pozitive në ekonomi. Guvernatori tha se, leku po forcohet prej rritjes së prurjeve në valutë nga flukset e turizmit, remitancave, investimeve të huaja dhe eksporteve.

Por hyrjet e valutës nga përmirësimi i faktorëve ekonomik nuk e ndikuan pozitivisht ekonominë së paku në tremujorin e vitit. Të dhënat e INSTAT tregojnë se PBB-ja u zgjerua vetëm 2.7 %, ritmi më i ulët që nga pandemia.

Nënçmimi i Euros ndaj Lekut kanë vënë në vështirësi eksportuesit të cilët po përballen me humbje të mëdha gjatë kësaj periudhë.

Të dhënat më të fundit në lidhje me industrinë tregojnë për rritje të papunësisë në sektor, rënie të eksporteve dhe rënie të pagave reale.

Prodhimet dhe eksportet, të cilat konsiderohen si zemra ekonomisë së një vendi, po dëmtohen seriozisht nga forcimi i monedhës vendase dhe pasojat e krijuara nuk do të rikuperohen lehtë.

Industria shqiptare po kalonte në një shkallë më të lartë të zinxhirit të vlerës, por Euro po e pengon seriozisht këtë proces, referuan shoqatat e eksportuesve./B.Hoxha-Monitor


Shtuar 14.07.2023 14:08