Ermira flet për përgjimin: Nuk do mbyllem në shtëpi e të qaj
Ermira Mehmeti, politikanja më e diskutuar këtë javë, në të gjitha trojet shqiptare, për shkak të shpërndarjes nga media mbarëshqiptare, të një regjistrimi telefonik mes saj dhe zv.kryeministrit të Maqedonisë, Musa Xhaferi, reagon për herë të parë, pas skandalit, ekskluzivisht në dritare.net.

"Nuk e kam bërë unë këtë telefonatë. Është pa sens. Është montazh", thotë Ermira Mehmeti.

"Por e zbulova kush e ka bërë, cili apo cila fshihet pas saj, kush e ka montuar dhe e denoncova ne Prokurori, ne Shkup, këtë të hënë. Tani do më duhet të mendoj me kujdes çdo hap, ndërsa po pres nga prokuroria ta hetojë dhe të zbulojë arsyet e vërteta që fshihen pas këtij skandali", vazhdon deputetja.

Mehmeti tregon se, ky montazh ka dalë në media për herë të parë mes së shtunës dhe të dielës së javës së shkuar, por ajo është në dijeni të tij prej janarit 2016, kohë kur kanë nisur kërcënimet për të, kërcënime qe ajo i ka denoncuar të gjitha në Prokurori.

"Kërcënimet ishin të njerëzve të nëntokës, të cilët më shantazhuan", tregon Mehmeti për dritare.net

Ermira Mehmeti ka denoncuar këtë të hënë montazhin dhe shantazhin. E ka bërë privatisht në Prokurori, jo në emër të BDI.

Por është në kontakt dhe ka lajmëruar partinë që përfaqëson në parlament, për situatën.

"Do dalë nga kjo histori e shëmtuar dhe ju siguroj që nuk mbyllem në shtëpi e të qaj, por do ta çoj deri në fund, për të zbuluar publikisht, kush pretendon të marrë përfitime politike, financiare, duke shantazhuar. Unë nuk tërhiqem, sepse nuk kam asgjë për të fshehur", e mbyll prononcimin e shkurtër Ermira Mehmeti.

Ndërkaq Prokuroria e Shkupit ka pranuar se ka nisur hetimet. Pritet që ajo të flasë pas ekspertizës së materialit të denoncuar nga Mehmeti. /albeu.com/
Shtuar më 31/03/2016, ora 10:53
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori