U dhunuan nga gardisti dhe fisi i tij, familja Kaçi merr urdhër mbrojtjeje

Gjykata e Durrësit ka lëshuar të martën urdhër të menjëhershëm mbrojtjeje për Pjetër Kaçin dhe djemtë, pas konfliktit që ata patën të dielën me gardistin Martin Nikolli dhe familjen e tij në Hamallaj.

Ndërsa gardisti është shkarkuar nga detyra dhe arrestuar nga policia, 78-vjeçari Pjetër Kaçi ka kërkuar mbrojtje pasi, sipas tij, vijojnë tensionet mes dy familjeve.

“Në oborr  të shtëpisë nuk ka mundësi më të vijë. Ta ketë për turp ai edhe unë”– tha  Pjetër Kaçi, 78 vjeç.

Konflikti me motiv pronësie mes dy familjeve mirditore që kanë lidhje gjaku mes tyre, u acarua më tej me ndërhyrjen e IMT-së, por të dielën dy familjet u përfshinë në një përleshje fizike, gjatë së cilës 50-vjeçari Nikolli përdori edhe armën e shërbimit duke qëlluar në ajër me të.

“I kanë dalë përpara duke e ofenduar pastaj duke e shtyrë. Pataj erdhëm ne me çunat debatuam, na gjuajtën ne e babit e morën shkopinj bejsbolli, shkuan morën dhe armën por fati i mirë i joni nuk na prekën”– tha Paulin Kaçi, djali i Pjetrit.

Ndonëse i trishtuar për këtë situatë që ka futur në konflikt dy familjet, kur në sallën e gjyqit Martin Nikolli i ka kërkuar të tërheqë denoncimin 78-vjeçari nuk është tërhequr dhe gjyqtarja e seancës ka vendosur lëshimin e Urdhrit të Menjëhershëm të Mbrojtjes që detyron Martin Nikollin t’i qëndrojë larg atij dhe 4 djemve të tij, pa ushtruar akte dhune apo presion mbi ta.

Urdhri i Menjëhershëm i Mbrojtjes është lëshuar vetëm për Nikollin që aktualisht ndodhet në gjendje arresti.


Shtuar 1.08.2023 19:57