Ëndrra e Muç Nanos: Hoxhallarët të lexojnë Kuranin
Mustafa Nano

I have a dream. Unë kam një ëndërr që të vijë një ditë:

Kur të kuptohet se një politikan i korruptuar është gjëja më e fisme në botë në krahasim me një politikan të korruptuar që zgjedh si kauzë të tijën luftën kundër korrupsionit.

Unë kam një ëndërr që të vijë një ditë kur të biem të gjithë dakord se nuk ka punë të liga që bëhen për qëllime të mira dhe se nuk ka punë të mira që të shërbejnë si alibi e qëllimeve të liga.

Unë kam një ëndërr që të vijë një ditë, kur të kuptojmë se është më mirë të bësh një dëm duke respektuar ligjin sesa të bësh një punë të paqme duke e dhunuar atë. Unë kam një ëndërr që të vijë një ditë kur në krye të institucioneve shqiptare të zgjidhen njerëzit e zotë, e jo idiotët e dobishëm.

Unë kam një ëndërr që të vijë një ditë kur njerëzit të thonë se do dalin një shëtitje nga parku dhe ai të mos jetë parku te Liqeni.

Unë kam një ëndërr që të vijë një ditë kur qytetarëve që do të hipin në autobusin urban me një libër në dorë të mos u kërkohet biletë. Hej, kujdes me ëndrrat: ndonjëra edhe realizohet.

Unë kam një ëndërr që të vijë një ditë kur të gjithë të kuptojnë se nuk ka budalla më të madh sesa ai që thotë shprehjen “hajt mo, punë shqiptarësh”, dhe me “shqiptarët” kupton të gjithë shqiptarët, përveç atij vetë.

Unë kam një ëndërr që të vijë një ditë kur njerëzit të binden se, sipas një rregulli jo fort të kuptueshëm, njerëzit e mirë nuk janë të zotë dhe njerëzit e zotë nuk janë të mirë.

Unë kam një ëndërr që të vijë një ditë kur njerëzit ta kuptojnë se prapa çdo heroi fshihet një mashtrim, dhe se heronjtë e vërtetë të kombeve, apo edhe të njerëzimit, janë ata që u fshihen syve të historisë.

Unë kam një ëndërr që të vijë një ditë kur të kuptohet se vajzat e bukura nuk ka se si të jenë inteligjente nëse nuk harrojnë që janë të bukura.

Unë kam një ëndërr që të vijë një ditë kur të bihet dakord nga të gjithë se Enver Hoxha nuk ka pasur qëllim tjetër në jetë veçse ta sundojë këtë vend, dhe se ai e ka një alibi që është alamet alibie: të gjithë të tjerët të njëjtin qëllim kanë patur e kanë.

Unë kam një ëndërr që të vijë një ditë kur ne shqiptarët të rifitojmë sadopak, apo pak e nga pak, të vetmen cilësi që na mungon e tëra, skofinë. Çfarë është skofia? Nuk ua them, hapni fjalorin e gjuhës shqipe. Ai fjalor duhet hapur herë pas here.

Unë kam një ëndërr që të vijë një ditë kur të rinjve shqiptarë t’u duket më me interes një diplomë kuzhinieri sesa një diplomë juristi.

Kur hoxhallarët e Shqipërisë të lexojnë më në fund Kuranin.

Unë kam një ëndërr që të vijë një ditë kur njerëzit të heqin dorë së justifikuari dembelizmin e tyre me faktin që nuk ka punë. Për atë që nuk është dembel, punë ka edhe kur në fakt nuk ka, dhe në të kundërt, për atë që është dembel, punë nuk ka edhe nëse askush tjetër nuk është i papunë.
Shtuar më 24/04/2019, ora 11:13
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori