FOTO LAJM/ Greqia zgjedh sot kryeministrin e ri të vendit, në qendrat e votimit edhe kafshët shtëpiake

Sot qytetarët grekë i drejtohen kutive të votimit për raundin e dytë të zgjedhjeve parlamentare.

Zgjedhjet parlamentare në Greqi zhvillohen sërish sot, 25 qershor, 5 javë pas zgjedhjeve të fundit të 21 majit, në të cilat konservatorët që fituan bindshëm me 20 pikë diferencë nga të Majtët, nuk mundën të siguronin shumicë parlamentare për shkak se u zhvilluan me sistemin e thjeshtë proporcional.

Sondazhet kryesohen ndjeshëm nga Demokracia e Re e Kyriakos Mitsotakis i ndjekur nga Syriza e Aleksis Tsipras dhe Pasok me në krye Niko Andrulakis.

Mediat në vend kanë publikuar në orët e para pas hapjes së qendrave të votimit edhe foto të qytetarëve që kanë shkuar të shprehin vullnetin e tyre me kafshët e tyre shtëpiake.

Gjithsej 9 813 595 shtetas grekë janë regjistruar për të votuar në 21 634 qendra votimi në të gjithë Greqinë.

Procesi zgjedhor mbahet pak më shumë se një javë pas raportimeve për tragjedinë me anijen e migrantë në brigjet greke. Si pasojë e fundosjes së anijes besohet se kanë vdekur 500 persona. Mirëpo kjo katastrofë ka pasur ndikim të vogël në fushatë.

Mitsotakis beson se pa siguruar më shumë se 150 ulëse në Parlamentin me 300 të tilla, partia e tij Demokracia e Re, nuk mund të formojë një qeveri stabile.

“Në kohë të paqarta, Greqisë i duhet një qeveri që nuk do të varet nga brishtësia e shumicës”, ka thënë ai në një takim të organizuar me mbështetësit në Sheshin Sintagma të premten në Athinë.

Mitsotakis shihet si rikthyes i stabilitetit në ekonominë greke, pas problemeve të rënda në të kaluarën.

Ndonëse aktualisht shumë grekë vuajnë nga rritja e çmimeve të jetesës, ata kanë votuar muajin e kaluar për partinë që ka premtuar taksa më të ulëta dhe përmirësim të shëndetit publik.

Kundërkandidati i Mitsotakis, Alexis Tsipras nga qendra e majtë, u ka thënë mbështetësve në Selanik se votuesve u ofrohen dy mundësi: “Një shtet dhe shoqëri humane, demokraci dhe drejtësi”, apo program i krahut të djathtë, që i vendos përfitimet mbi jetën e shumicës./albeu.com/


Shtuar 25.06.2023 11:44