Meta në Pukë: Votoni Rrok Dedajn, më 14 maj ekzekutojmë komunizmin dhe korrupsionin

Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka qenë sot në Pukë për të mbështetur kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” Rrok Dedaj.

Meta tha se pukjanët më 14 maj do votojnë që Puka të mos shuhet.

“Pjesëmarrje dhe vetëm pjesëmarrje më 14 maj. Të tjerët kanë dhënë jetën për ta gëzuar të drejtën e votës dhe kurrë nuk e patën mundësinë për të votuat. Vota është gjithçka e juaja, e ardhmja e fëmijëve tuaj.
Disa nga pikat e programit të Rrok Dedaj janë për rinjtë, për shkollimin, për t’iu lehtësuar kushtet që të mos largohen nga Puka dhe ta shohin të ardhmen këtu. jam këtu jo vetëm për të mbështetur kandidatin fitues Rrok Dodaj por edhe Hil Currin. Majën e parë që do ngjisim pas 14 majit është maja e Munellës dhe atje do vendosim flamurin e koalicioni Bashkë Fitojmë”, deklaroi Meta.

Ai iu bëri thirrje të rinjve të votojnë koalicionin Bashkë Fitojmë dhe kandidatët për këshilltarë.

“Ne i duam të rinjtë në vendimmarrje, të jenë lokomotiva e ndryshimit. Ne nuk i duam të rinjtë për gomone siç i do ai tjetri. Më 14 maj ne ekzekutojmë jo vetëm komunizmin absolut, korrupsionin absolut. Skandalet e këtij kryebashkiaku këtu kanë marrë dhenë në gjithë Shqipërinë, si sillet me qytetarët, si krijon incidente, vjedhjet. Njësoj si Edi Rama, ky model është kudo dhe këtë model e rrëzojmë me votën tuaj më 14 maj. Ju ftoj të gjithëve kudo ku i kemi njerëzit tanë në Pukë, Fushë-Arrëz, Shkodër, Tiranë, Durrës, në Kamëz kudo që janë t’u kërkojmë të votojnë jo vetëm për ndryshimin se këtu bëhet fjalë për të ndaluar shpopullimin e vendit një projekt të planifikuar”, tha Meta më tej.


Shtuar 11.05.2023 12:21